Komisioni për marëdhënie me bashkësitë fetare dhe me grupet religjioze në RMV na qenka kujtuar për një “takim konsultativ” për bashkëjetesë ndërfetare, për një nismë për të pasqyruar shembull se si mund të bashkëjetojnë dy komunitete të feve të ndryshme! Ku bën tupani i tradhëtisë “bam” aty në valle me patjetër e ke edhe Shaqir Fetain, krijesën më amorfe dhe më të rrezikshme që e krijoi ish-reisul ulema i BFI-së
Nga Lorik Spahiu
Populli shqiptar tashmë anekënd botës njihet si popull i cili në gjenin e vet e ka një tipar unikal që nuk gjendet te asnjë popull në rajon, në Evropë e më gjërë! Në mënyrë të përkryer e ka ngritur kullën e bashkëjetesës ndërfetare. Një popull me tri fe e me shumë religjione e sekte e që kurrë në mes vet nuk e kanë pasur më të voglën ngatërresë. Bashkëjetojnë nën kanunin e respektit, të harmonisë, të dashurisë dhe të mirëkuptimit. Shqiptarët, gjthandej botës, tashmë kanë dhënë shembuj të shumtë se kanë respekt për çdo fe të Zotit, se janë për harmoni të plotë ndërmjet përkatësve të këtyre feve dhe se kurrë nuk kanë rënë pre e provokimeve e as që kanë ushtruar provokime ndërkonfesionale. Shqiptari, meqë në mesin e popullit të vet ka shumë të krishter katolikë, jeton mrekullueshëm me cilindo popull katolik; shqiptari, meqë në mesin e popullit të vet ka të krishter ortodoksë, kurrë nuk ka lejuar që të ketë ndonjë ngatërresë me përkatësit e ortodoksizmit; shqiptari, meqë në mesin e popullit të vet ka miliona myslimanë me të cilët bashkëjeton si vëllai me vëllanë, ndaj dhe gjithë myslimanët e botës i konsideron për vëlla! A ka vyrtyt më të shenjtë se ky?
Po çka i bën këtij virtyti Shaqir Fetai, ky farë instalacioni i fëlliqtë i pushtetit antiislamist që e vuri në krye të BFI-së? I duhet ta përçmojë duke ia plotësuar dëshirën dhe nevojën dikujt tjetër për t’u treguar zemërgjërë, i gatshëm për të ftuar për bashkëjetesë dhe harmoni ndërfetare në mes të myslimanëve dhe ortodoksëve të Maqedonisë së Veriut!
Janë plotë shembuj që edhe Kisha Ortodokse Maqedonase por edhe vetë shteti maqedonas, kanë provokuar konflikte ndërfetare me myslimanët e vendit, kanë përdhosur e kanë përvetësuar objekte të kultit të fesë islame.
Qysh në vënien e kryqeve ortodokse në sahatkullën e Prilepit dhe të Manastirit, Bashkësia Fetare Islame, respekivisht, ish-reisul ulema i BFI-së, H. Sulejman ef. Rexhepi, i ngriu raportet me KOM-in derisa nuk do të hiqen kryqet nga objektet sakrale islame.
Raportet në mes të KOM-it dhe institucioneve shtetërore me relevancë u përkeqësuan edhe më shumë kur KOM-i nuk ndërmori kurrfarë aksioni për ndërgjegjësimin e popullatës ortodokse maqedonase për mos ta penguar rindërtimin e Xhamisë së Prilepit që e dogjën më vitin 2001, ndërsa në përurimin e Kishës së shkatërruar të Leshokut mori pjesë edhe përfaqësuesi i BFI-së?
Raportet do të acarohen edhe më shumë kur KOM-i e uzurpon Xhaminë e Hysamedin Pashës në Shtip dhe e pagëzon si “Kisha e Shën Ilijas”!
Bashkësia Fetare Islame u pajtua që në Llazhec të ndërtohet kisha, ndërsa KOM-i nuk u pajtua dhe nuk lejoi edhe sot e kësaj dite të ngriitet xhamia!
Pra, janë një mori provokimesh që janë bërë nga ana e Kishës Ortodokse Maqedonse kundër të cilave kurrë nuk ka reaguar asnjë organ gjegjës i shtetit, madje as vetë Agjencia!
Edhe më herët ka pasur përpjekje të këtilla, për të ngritur “trupa” fallco që do të ndikonin në përafrimin e këtyre dy komuniteteve si më të mëdha në vend. Ish-struktra udhëheqëse e BFI-së asnjëherë nuk ka pranuar që të lëshohet në aventurë të tilla pa dhënë KOM-i isharete pendese për provokimet e tilla dhe pa dhënë shembull konkret se është i gatshëm për bashkëjetesë. Kryetari i ndjerë i shtetit, Kiro Gligorov, publikisht pat deklaruar se kryqet nga sahatkullat do të hiqen për dy javë, ndërsa u bënë 30 vite që rrinë sipër objekteve sakrale islame duke i përdhosur ato!
Po çka bën Shaqir Fetai?
Shaqir Fetai, për ta pasur mirë me djallin e mirë me shejtanin, në çaste kur po i luhatet karriga në këmbë prej kartuqi, është në gjendje t’i amnistojë stukturat ortodokse dhe t’ua falë tërë atë diskriminim, atë vjedhje e atë përdhosje që ua ka bërë myslimanëve dhe objekteve fetare të tyre. Nuk ka bashkëjetesë të sinqertë pa pendesë, pa kërkim faljesh publikisht dhe pa pranim të fajit!
Ose, kjo iniciativë ortodokse për bashkëjetesë mund të jetë edhe vetëm një puhizë para furtunës! Mund të jetë diçka (mbase ndonjë diskriminim i radhës!) që vjen nga besimtarët ortodoks, që gjithmonë kanë inicuar ura bashkëpunimi në funksion të një bashkëjetese në harmoni të plotë! Shaqir Fetai është tepër shumë i vogël (nëse nuk është palë ortodokse) për t’i kuptuar lojërat e mëdha!
Shaqir Fetai i amnistoi ortodoksët dhe ua fali të gjithë ato padrejtësi që i ushtuan mbi kurriz të myslimanëve të vendit! Shaqir Fetai e mirëkuptoi shtetin që i dha në Kala rezidencë mbretërore KOM-it ndërsa BFI-në akoma e mban në një geto të trishtë! I mirëkuptoi dhe ua zgjati dorën duke u thënë që mos të mërziten fort për këtë punë por, tash e tutje të mërziten vetëm për punën e Shaqir Fetait, të cilin, myslimanët e vendit më të kënaqur do të ndjeheshin sikur ta shihnin nën petkun e “dedo-dedo Stefanit”!