Sot, e vetmja sfidë e BFI-së është Shaqir Fetai

Shaqir Fetai na infomon se qenka nisur për në Zvicër, te shqiptarët e përmalluar, bashkë me “drejtorin e sektorit për diasporë”, Dr. Selver Xhemailin, si dhe me “kryetarin e OH Hilal”, Fadil Ramadanin. Ai që e kishte fotografuar këtë treshen famoze, paska qenë shefi i kabinetit të “rreisit”. Dhe, nisi axhendën

Shkruan Sabit Ibrahimi

Në një shkrim të titullur LUTJA E NJË HIPOKRITI, të botuar më 22 korrik të vitit 2020, veç të tjerash pata shkruar se si një ditë, Shaqir Fetai, edhe lutjet do t’i llogarisë si aktivitet të tij profesional, madje edhe frymë kur do të marrë do të na informojë se mori frymë, thuase dikujt i plas b… nëse merr apo jo frymë Shaqir Fetai!
“Sot u fala në këtë xhami…”, “Sot e fala xhumanë…”, “Sot u luta kështu…” – janë informacione të kota, të poshtra, që vijnë nga një hipokrit, nga një mynafik, nga një i prishur në shpirt. Ajo që është obligim jetik nuk komunikohet! Për shembull, “Sot morra frymë”, pata shkruar atëbotë!
Dhe, sot, u konfirmua ky vlerësim i pagabueshëm për Shaqir Fetain e shkretë! Ai sapo paska mbërritur në Zvicër, axhendën e vet e paska filluar me faljen e namazit të Xhumasë. Vetëm një idiot mund ta llogarisë axhendë (aktivitet zyrtar) faljen e Xhumasë! Ky ishte titulli i lajmit “famoz” që flet për shëtitjet e kota të Shaqir Fetait me honxho bonxhot e vet.
Shaqir Fetai, i bllokuar në të gjitha anët, i margjinalizuar si një qefli që vdes për urime dhe përshendetje, ka lutur që ta ftojnë, që t’ia mbulojnë shpenzime, edhe pse prej arkës së BFI-së ka nxjerrë para të majme për shpenzime e për mëditje që duhen për këtë udhëtim pa kurrfarë interesi për BFI-në.
Shaqir Fetait i ka shkuar pak mendja që të tallet edhe me mërgimtarët e shkretë që, nga përmallimi, edhe viçat e katundit me iu shku i pranojnë si “pjesëtarë të familjes”! Le të na thotë Shaqir Fetai kush është shoqëruesi i tij, Fadil Ramadani! Zona e Sarajit e njeh si bastorexhi, që rri nëpër vende ku degradojnë madje edhe teologun më të pjekur! Për më tepër, le të pyetet Sulejman ef. Rexhepi se kush është ky farë “alamet” personaliteti! Nejse, le të tregojë Shaqir Fetai se cilat ishin të arriturat e Fadil Ramadanit sa ishte kryetar i Kuvendit të BFI-së? Çka bëri? Sa i mbrojti interesat e BFI-së? Me çfarë përçmimi e vlerësonte Shaqir Fetain! Po ky, Shaqiir Fetai, si e bëri “kryetar të OH HILAL”! E para, le të sqarojë a është Organizatë apo Fondacion! A ka Kuvend kjo “Organizatë humanitare”? A ka Statut kjo Organizatë Humanitare! Çka thotë ky statut, kush e zgjedh kryetarin e Hilalit, si zgjidhet ai! Apo, emërohet drejtpërdrjet nga Shaqir Fetai, si ekspert i shkeljeve të të gjitha akteve normative të BFI-së! Si ua prezanton për kryetar të organizatës humanitare njeriun të cilin e ka përzgjedhur dhe e ka emëruar vetë! “Aktiviteti i tij humanitare” përgjatë Muajit të Ramazanit ka qenë për ibret, me rezultate të denja për një hajn dhe për një të pandershëm, që ka mbajtur po atë “linjë humanitare” të pararendësit të tij, te i cili Shaqir Fetai mori praktikën e vjedhjes së ndihmave humanitare!
Me çfarë projekti humanitar do t’ju prezantohet “kryetari” i Hilalit mërgimtarëve tanë! Cili do të jetë motivi i paraqitjes së tij para njerëzve të përmalluar? T’i prekë në shpirt, të manipulojë me përmallimin e tyre dhe, t’ua zhvasë ndonjë frang? Ky është synimi i Shaqir Fetait?
Po atë tjetrin? Drejtorin e sektorit për diasporë? Ç’ne ky sektor? Për ta kontrolluar diasporën? Për ta aktivizuar diasporën? Për ta motivuar në aktivitete fetare diasporën? Për t’ua mbajtur gjallë frymën islame diasporës? Për të organizuar aktivitete të përbashkëta me diasporën?Apo, thjesht, për ta zhvatur diasporën!
Cilat janë obligimet, deyrimet fetare, kombëtare, juridike, ligjore të diasporës ndaj këtij farë sektori manipulativ? Ato shoqata islamike në Zvicër e në Perëndim i nënshtrohen ligjeve të vendit, u nënshtrohen rregullave juridike të shtetit ku veprojnë dhe, as që ka tagër mbi ta ndonjë sektor i “mëmëdheut”! Sektor për manipulim të dyfishtë: të manipulohet popullata autoktone se ne, si BFI, kujdesemi për diasporën tonë dhe, të manipulohet mundësisht, diaspora jonë që, ne, si BFI, mund edhe t’ju detyrojmë në pagimin e taksave fetare, por, më mirë është që të jepni vetë, pa evidencë, aq sa ua do shpirti ju, e sa na mbanë xhepi ne!
Kujt t’i jepet? Kush të ndihmohet? Njeriu që në krye të BFI-së vjen si kiç-instalacion nga pushteti maqedonas! Dhe ky mendon se do ta manipulojë diasporën dhe do t’ia krijojnë një atmosferë që ky të përjetojë orgazëm?! Shaqir Fetai mund t’i manipulojë do vendasë të vet, do ish-nxënës të vet, apo, disa ish-medresantë që mallin për këtë vatër mësimore e kanë të pashuar përjetë! Me këtë përmallim manipulon Shaqir Fetai, u imponohet njerëzve si “reis” i cili erdhi me ndihmën e policisë dhe të ushtrisë maqedonase (ditën kur është votuar ai në oborr e brenda BFI-së ka pasur më tepër policë maqedonasë se sa votues), i cili del në skenë për të përbaltur një traditë të tërë dhe një histori të gjatë të zgjedhjeve apo emërtimeve në krye të BFI-së e të orrganeve të saj, duke vazhduar pastaj me shkeljet e të gjitha normave juridike të shenjta si për BFI-në ashtu edhe për myslimanët e vendit që e duan jetën fetare institucionale.
Shaqir Fetai kësaj “jete fetare” ia ka dhënë vulën e vet dhe kjo do të organizohet vetëm sipas qejfeve të tij, që në fakt janë direktiva të nëntokës së shërbimeve sekrete të huaja.
Shaqir Fetait nuk i ha palla për fenë islame. A thua, çfarë përgjigje do t’i japë mërgatës sonë Shaqir Fetai kur do ta pyesin se Medhhebi Hanefij është Shkollë Juridike Islame apo sekt, siç e llogarit Shaqir Fetai në web faqen e “Bashkësisë Fetare Islame” të veten, përkundër vërejtjeve publike që ia ka bërë oponenca e tij!
Shaqir Fetai, demagogu i paparë, hipokriti i llojit të vet, do të mundohet t’u shitet si vlerë mërgimtarëve, do të mundohet të pallamudë “fjalime shkencore” para tyre, do ta luajë viktimën, do ta luajë “trimin” që do të triumfojë mbi të gjitha sfidat me të cilat po përballet BFI-ja, por ama, kurrë nuk do t’ju shpjegojë mërgimtarëve se pse pikërisht Shaqir Fetai sot është sfida më e madhe e Bashkësisë Fetare Islame të myslimanëve të RMV-së.

 

Leave a Reply