Sot pritet të nënshkruhet marrëveshja për koalicion mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, ndërkohë, ende zyrtarisht nuk dihen detaje për ndarjen e ministrive, postin e presidentit dhe kryetarit të parlamentit të Kosovës.
Në takimin që u mbajt të shtunën në mes të Isa Mustafës dhe Albin Kurtit, u tha se është përmbyllur 100 për qind harmonizimi i programit qeverisës, duke u pajtuar për të gjitha çështjet e hapura, e po ashtu edhe sa i përket kabinetit qeverisës, sipas të cilëve do të ketë 12 ministri.
Krahas kësaj, është raportuar se pesë ministri do t’i takojnë Lëvizjes Vetëvendosje, pesë Lidhjes Demokratike të Kosovës, një minoritetit serb dhe një për minoritet tjera.
Lutfi Haziri nga Lidhja Demokratike e Kosovës, i cili nuk ka dashur të japë detaje, duke thënë se “këto detaje do të bëhen publike kur të vijë koha”.