Sot, protesta e opozitës

Ditën e sotme në orën 16:00 zhvillohet protesta e thirrur nga opozita. Gjatë një lidhjeje live për edicionin e lajmeve të Tv Klan, gazetarja Jolldiz Mitro ka përcjellë detaje se çfarë pritet që të ndodhë pasditen e sotme në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Gazetarja raportoi se slogani i protestës do të jetë “Shqipëria në rrezik, t’i dalim Zot bashkë”.

Sa i përket skenarit, Mitro u shpreh se PD është e rezervuar për atë çfarë pritet që të ndodhë, por mësohet se do të ketë fjalime, jo vetëm politike, por edhe nga përfaqësues të shoqërisë civile. Po ashtu, protestuesit do t’i drejtohen Bulevardit nga disa drejtime të ndryshme.

“Sa i përket skenarit, nga ana e PD, kjo e fundit është pak e rezervuar në lidhje me atë se çfarë pritet në protestën e pasdites, por kemi arritur të mësojmë se do të ketë fjalime, jo vetëm fjalime politike, por edhe fjalime nga përfaqësues të shoqërisë civile në podiumin që është vendosur në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Do të ketë fjalime nga studentë, të rinj, të papunë dhe që do të kulmojë me fjalën e zotit Berisha. Kemi mësuar se protestuesit do të drejtohen në disa drejtime në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Një pjesë e tyre do të dalin nga selia blu ku do të shoqërojnë kreun e PD-së, një pjesë tjetër e protestuesve do të vinë nga Sheshi “Nënë Tereza”, Sheshi “Skënderbej” dhe një pjesë tjetër do të vijnë nga Unaza për t’u bashkuar në Bulevard”, u shpreh gazetarja Jolldiz Mitro.

Më tej ajo citoi burime nga selia blu që kanë thënë se protesta do të jetë paqësore.

“Interesi i të gjithë qytetarëve që na ndjekin është nëse do të përshkallëzojë në dhunë protesta e sotme, por nga burime brenda selisë blu më thonë që do të jetë një protestë paqësore, megjithatë mbetet për t’u parë se si do të zhvillohet ajo deri në orën 16:00”, raportoi gazetarja.

Kjo është protesta e dytë që organizohet nga Partia Demokratike pas asaj të 7 Korrikut. Berisha në orët e para të mëngjesit i është drejtuar qytetarëve që të bëhen pjesë e protestës së sotme.

Ndërsa një ditë më parë, ai paralajmëroi kryeministrin Rama se nuk do t’i shpëtojë dot përballjes me popullin. Kryedemokrati u tregua i rezervuar për skenarin e saj, ndërsa thekoi se ish-kryetari i PD, Lulzim Basha nuk duhet të bëhet pjesë e protestës.

Për protestën e opozitës që do të mbahet në Tiranë ka reaguar edhe Policia e Shtetit. Ajo ka angazhuar pothuajse të gjitha strukturat e saj. Gazetarja Bleona Metushi raportoi se janë të paktën 1 mijë oficerë të angazhuar. Uniformat blu njoftuan se do të ketë bllokime të disa segmenteve rrugore në varësi të lëvizjes së pjesëmarrësve në tubim.

Prej orës 15:00 nuk do të lejohet lëvizja e automjeteve në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe disa akse të tjera të qendrës. Policia thotë se ka marrë të gjitha masat e sigurisë për garantimin e rendit dhe sigurisë, para, gjatë dhe pas përfundimit të tubimit.

Një pjesë e punonjësve me uniformë do të vendosen pas Kryeministrisë. Ndërkohë sipas gazetare, punonjës pa uniformë do të jenë në terren duke vëzhguar për mbarëvajtjen e kësaj proteste. Në gatishmëri janë vendosur edhe punonjës të policisë në Drejtoritë vendore në qytete të tjera, pasi nuk dihet se si do të shkojë situata. Plan masash të shtuara ka edhe Garda, e cila është përgjegjëse për ruajtjen e institucioneve të rëndësisë së veçantë.

Leave a Reply