“A mund të na bëni një koment rreth fshehjes nga ana e Policisë së Shtetit të skandalit të Elbasanit?”, pyeti deputeti demokrat Flamur Noka.
“Unë kam ngarkuar Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm ta hetojë dhe të arrijë në përfundime lidhur me ushtrimin e përgjegjësive që kanë punonjësit e policisë në këtë detyrë rutinë, sipas tyre, në respekt të ligjit. Ajo që dua të bëj të ditur është fakti që, gjithë çfarë ka ndodhur është e regjistruar konform procedurave ligjore”, u përgjigj ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj.
Debatet në Komisionin e Sigurisë Kombëtare vijuan mbi situatën e kriminalitetit në vend, ndërsa deputetëve të opozitës u ra në sy mungesa e drejtorit të Policisë së Shtetit, Haki Çako.
“Zoti ministër, do të merrni ju masa për shkarkimin e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, pasi sipas disa ngjarjeve të fundit në vend, por edhe muaj më parë, është përgjegjësi kryesor i menaxhimit të punës së policisë”, tha Endrit Brahimllari, deputet i LSI-së.
“Unë nuk mund të kërkoj të shkarkohet drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit sepse ka shqetësime një forcë politike”, deklaroi ministri Xhafaj.
Deputetët e opozitës u larguan nga mbledhja, duke mos marrë pjesë në votimin e buxhetit të Ministrisë së Brendshme.
Top Channel