“Sota”, hetim policisë. Xhafaj: Zbatuan ligjin. Po bëhen verifikime

I nxitur nga deputetët e opozitës, Fatmir Xhafaj foli për herë të parë disa ditë pas ndalimit të Orest Sotës, me 863 mijë euro dhe dy patenta të Saimir Tahirit në makinë.

“A mund të na bëni një koment rreth fshehjes nga ana e Policisë së Shtetit të skandalit të Elbasanit?”, pyeti deputeti demokrat Flamur Noka.

“Unë kam ngarkuar Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm ta hetojë dhe të arrijë në përfundime lidhur me ushtrimin e përgjegjësive që kanë punonjësit e policisë në këtë detyrë rutinë, sipas tyre, në respekt të ligjit. Ajo që dua të bëj të ditur është fakti që, gjithë çfarë ka ndodhur është e regjistruar konform procedurave ligjore”, u përgjigj ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj.

Debatet në Komisionin e Sigurisë Kombëtare vijuan mbi situatën e kriminalitetit në vend, ndërsa deputetëve të opozitës u ra në sy mungesa e drejtorit të Policisë së Shtetit, Haki Çako.

“Zoti ministër, do të merrni ju masa për shkarkimin e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, pasi sipas disa ngjarjeve të fundit në vend, por edhe muaj më parë, është përgjegjësi kryesor i menaxhimit të punës së policisë”, tha Endrit Brahimllari, deputet i LSI-së.

“Unë nuk mund të kërkoj të shkarkohet drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit sepse ka shqetësime një forcë politike”, deklaroi ministri Xhafaj.

Deputetët e opozitës u larguan nga mbledhja, duke mos marrë pjesë në votimin e buxhetit të Ministrisë së Brendshme.

Top Channel

Leave a Reply