Tomini: Efikasiteti i masave do shikohet në javët e ardhshme
Shqipëria vijon të përjetojë ditë të qeta sa i takon përhapjes se koronavirusit. Fillimi i Dhjetorit regjistroi rritje drastike të rasteve të reja duke kulmuar në 12 Dhjetor me 897 të infektuar në 24 orë, por dy javët e fundit të Dhjetorit sollën përgjysmim të infektimeve. Epidemiologët vlerësojnë një situatë të qëndrueshme të epidemisë, e cila vijon dhe në Janar.
“Kemi pasur javë të cilat kanë pasur me një qëndrueshmëri të rasteve kundrejt një pozitiviteti më të ulët krahasuar me incidencën dyjavore që ka qenë rreth 226 raste për 100 mijë banorë në dy javët e fundit krahasuar me atë që ka qenë mbi 330 raste për 100 mijë banorë në dy javët e para të Dhjetorit”.
Epidemiologët ende nuk kanë një përcaktim, nëse Dhjetori regjistroi kulmin e fazës së dytë të Covid në vendin tonë.
“Nuk mund të përcaktojmë një pikë të fillimit, apo një pikë të fundit të kësaj vale të dytë për vetë faktin se po vijojmë të jemi sërish në periudhën e dimrit dhe në periudhën e dimrit e valës së kësaj epidemie e cila me ndërhyrjen e masave, përveç masave që janë në nivelin mesatar, por ndoshta dhe në vijim duke u përcaktuar edhe si fazë me ndërhyrjen e vaksinën në vijim, do të shikohet se sa do të jetë ndikimi i të gjitha masave”.
Edhe pse jemi në kulmin e sezonit të dimrit dhe numri i virozave të stinës ka ardhur në rritje, Instituti i Shëndetit publik nuk ka izoluar ende virusin e gripit.