Sulmet kibernetike, nën hetim 5 punonjës IT të administratës publike

Prokuroria e Tiranës kërkoi këtë të mërkurë arrest shtëpie për 5 punonjës IT pranë Departamentit të Administratës Publike (DAP), për sulmin kibernetik të Iranit ndaj sistemeve tona shtetërore.

Ata janë Rudina Llagami, Albi Gjeka, Altin Sallaku, Alketa Sulo, Igli Lubonja. Të pestë akuzohen për shpërdorim detyre. Megjithatë gjykata vendosi që personat në fjalë t’i lerë në masën detyrim paraqitje.

Në një njoftim për mediat, organi i akuzës thotë se këta punonjës janë angazhuar në pozicionin IT pranë DAP gjatë të njëjtës kohë kur është implementuar dhe mirëmbajtur sistemi administrata.al.

“Në rastin konkret, stafi IT pranë DAP mund dhe duhej të kërkonte raportim nga ana e operatorit ekonomik të kontraktuar prej DAP për implementimin dhe mirëmbajtjen e sistemit në kohë lidhur me gjendjen në të cilën ndodhej ky sistem, pavarësisht mungesës së dijenisë për mënyrën e zbatimit të kontratës për implementimin e sistemit administrata.al.

Prokuroria thotë se “në rast se këta punonjës, do të kishin vepruar në përputhje me urdhërimet e Rregullores së Sigurisë së Informacionit nr. 337/1 prot., datë 17.01.2022, dhe Rregullores së Brendshme të AKSHI-it duke kërkuar informacion dhe duke u azhornuar me antiviruset më të fundit të sistemit, atëherë do ishte zbuluar në sistemet e tyre virusi i cili ka hyrë fillimisht tek administrata.al në mënyrë që të bëhej e mundur neutralizimi i tij pa prekur sistemin e AKSHI-t”.

Për prokurorinë e Tiranëspersonat në fjalë, të identifikuar nga vetë strukturat e AKSHI, me mosveprimet e tyre kanë sjellë pasoja të rënda dhe kanë konsumuar elementet e figurës së veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”.

HETIMET për sulmet kibernetike përfunduan më 26 Shtator. Ekspertët e Microsoft dhe ekipi investigues i krimit kibernetik të FBI-së doli në përfundimin se hakerat iranianë arritën të hynin brenda sistemeve shtetërore shqiptare më 21 Maj 2021 duke përdorur dobësinë e sistemit administrata.al. Synimi i tyre ishte fshirja e të dhënave, por nga sulmi u cënua vetëm një e dhjeta e sistemeve shqiptare dhe gjithçka u rikuperua brenda 1 jave.

Raporti ka zbuluar se prapa sulmeve fshiheshin organizata iraniane si MOIS (Ministria e Inteligjencës Iraniane) dhe Garda Revolucionare Iraniane që financohen me rreth 7 miliardë dollarë në vit. Këto organizata kanë sulmuar në mënyrë të ngjashme edhe vende të tjera si Izraeli, Jordania, Kuvajti, Arabia Saudite dhe Turqia.

Ndërsa për sulmin e 9 Shtatorit ndaj sistemit TIMS, AKSHI tha se ajo është një infrastrukturë e pavarur nga ky institucion. Sipas raportit bëhet fjalë për 2 sulme të ndryshme me kohëzgjatje të ndryshme.

Kryeministri Edi Rama akuzoi publikisht Iranin si përgjegjës për sulmin kibernetik dhe shteti shqiptar vendosi ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve.

NJOFTIMI I PROKURORISE

Sulmi kibernetik në sistemet kompjuterike të institucioneve të Republikës së Shqipërisë, Prokuroria kërkon ‘Arrest shtëpie’ për pesë punonjës IT

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranëkërkon masën e sigurisë “Arrest shtëpie” për pesë punonjës IT pranë Departamentit të Adminiatratës Publike (DAP).

Kërkesa bëhet për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” parashikuar nga neni 248 i K.Penal për sulmin kibernetik ndaj institucionit shtetëror të AKSHI-t që përmbledh gjithë faqet zyrtare qeveritare në Republikën e Shqipërisë.

Punonjësit në fjalë janë angazhuar në pozicionin IT pranë DAP gjatë të njëjtës kohë kur është implementuar dhe mirëmbajtur sistemi administratë.al.

Në rastin konkret, stafi IT pranë DAP mund dhe duhej të kërkonte raportim nga ana e operatorit ekonomik të kontraktuar prej DAP për implementimin dhe mirëmbajtjen e sistemit në kohë lidhur me gjendjen në të cilën ndodhej ky sistem, pavarësisht mungesës së dijenisë për mënyrën e zbatimit të kontratës për implementimin e sistemit administrata.al.

Në rast se këta punonjës, do të kishin vepruar në përputhje me urdhërimet e Rregullores së Sigurisë së Informacionit nr. 337/1 prot., datë 17.01.2022, dhe Rregullores së Brendshme të AKSHI-it duke kërkuar informacion dhe duke u azhornuar me antiviruset më të fundit të sistemit, atëherë do ishte zbuluar në sistemet e tyre virusi i cili ka hyrë fillimisht tek administrata.al në mënyrë që të bëhej e mundur neutralizimi i tij pa prekur sistemin e AKSHI-t.

Personat e identifikuar nga vetë strukturat e AKSHI, të cilët me mosveprimet e tyre nuk kanë bërë të mundur identifikimin më parë janë:

Alketa Sulo – Specialist, Sektori i IT në Departamentin e Administratës Publike, Përgjegjës, Sektori i IT në Ministrinë e Brendshme;

Altin Sallaku – Përgjegjës, Sektori i IT në Departamentin e Administratës Publike, Përgjegjës, Sektori i IT në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve;

Rudina Llagami – Specialist, Sektori i IT në Departamentin e Administratës Publike;

Igli Lubonja – Specialist, Sektori i IT në Departamentin e Administratës Publike; dhe

Albi Gjeka – Specialist, Sektori i IT në Departamentin e Administratës Publike.

Këta persona me mosveprimet e tyre kanë sjellë pasoja të rënda dhe kanë konsumuar elementet e figurës së veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës” të parashikuar nga neni 248 i K.Penal.

Prokuroria do vazhdojë hetimet për identifikim e plotë të çdo aktori apo subjekti të përfshirë në këtë veprimtari duke vënë para përgjegjësisë penale.

Leave a Reply