Sulmi kibernetik që goditi zyrtarët e Trump shkakton pikëpyetje të forta për sigurinë

Një haker që më herët gjatë këtij muaji hyri në shërbimin e komunikimit i cili përdorej nga ish-këshilltari  i sigurisë së Trump, Mike Waltz, ndërhyri në mesazhet e një kaste më të gjerë zyrtarësh amerikanë nga sa ishte raportuar, sipas Reuters, duke rritur gjasat e një hakerimi i cili ka shkaktuar pikëpyetje për sigurinë e të dhënave të administratës Trump.

Reuters identifikoi më shumë se 60 përdorues të qeverisë që përdorin platformën e mesazheve TeleMessage në një grup të dhënash të rrjedhura, të siguruara nga Distributed Denial of Secrets, një organizatë jofitimprurëse amerikane që ka si mision të arkivojë dokumente të hakeruara dhe të rrjedhura në interes të publikut.

Në këtë koleksion përfshiheshin materiale nga punonjës të emergjencave, zyrtarë doganorë, disa punonjës diplomatikë amerikanë, një punonjës i Shtëpisë së Bardhë dhe anëtarë të Shërbimit Sekret. Mesazhet e shqyrtuara nga Reuters mbulonin një periudhë afërsisht 1-ditore që përfundonte më 4 maj dhe shumë prej tyre ishin të pjesshme.

Reuters nuk mundi  të identifikonte të gjithë përmbajtjen e gjetur, por në gjysmë duzine rastesh arriti të përcaktonte se numrat e celularit në të dhënat e rrjedhura lidheshin saktësisht me personat. 

Gjithashtu një prej marrësve të mesazheve konfirmoi autenticitetin dhe po ashtu edhe një firmë  shërbimesh financiare.

Agjencia e lajmeve thotë se nuk u gjet asgjë shumë sensitive dhe as biseda të Waltz apo zyrtarëve të tjerë të kabinetit. Në disa biseda, shpaloseshin axhendat e udhëtimit të zyrtarëve të lartë të qeverisë. Në një grup në Signal të quajtur “POTUS | ROME-VATICAN | PRESS GC” dukej se flitej për logjistikën e një ngjarjeje në Vatikan ndërsa një tjetër për një udhëtim në Jordani.

Nuk dihet ende saktësisht sesi është përdorur TeleMessage nga çdo agjenci. Shërbimi është pezulluar që prej datës 5 maj si “masë mbrojtjeje”. Firma Smarsh që zotëron aplikacionin nuk ka komentuar ende për rrjedhjen e të dhënave.

Në një deklaratë, Shtëpia e Bardhë u shpreh se “ishte e vetëdijshme për incidentin e sigurisë kibernetike në Smarsh”, por nuk komentoi sesi e ka përdorur platformën (dhe as Departamenti i Shtetit). Shërbimi Sekret tha se produktet e TeleMessage janë përdorur “nga një grup i  vogël punonjësish të Shërbimit Sekret” dhe po ndjek  situatën. Agjencia Federale e Menaxhimit të Emergjencave (FEMA) tha se “s’kishte prova” që t’i ishin prekur informacionet,  por nuk u përgjigj kur iu dërguan kopje të mesazheve. Një zëdhënës i Shërbimeve Doganore dhe Mbrojtjes Kufitare (CBP) përsëriti një deklaratë të vjetër ku theksonte se e kishte çaktivizuar TeleMessage dhe po heton hakerimin.

Leave a Reply