Sulmi në një metro të New York-ut, policia shpall në kërkim një 62-vjeçar

Në lidhje me sulmin në një metro në New York, ku u plagosën më shumë se 20 persona, hetuesit janë në kërkim të 62-vjeçarit Frank James, megjithëse nuk kanë konfirmuar se si ai mund të ishte përfshirë në sulm.

62-vjeçari, Frank R James, besohet se ka marrë me qira një furgon, për të cilin policia thotë se mund të lidhet me ngjarjen, megjithëse nuk e kanë konfirmuar rolin e James në sulm. Oficerët thanë se çelësi i furgonit u gjet në vendngjarje.

Videot e postuara në rrjetet sociale nga 62-vjeçari përdorin retorikë nacionaliste, gjuhë urrejtje dhe komente fanatike, disa prej të cilave synojnë njerëz të tjerë me ngjyrë.

Në disa nga videot e publikuara nga personi në fjalë, përmendet metroja e qytetit dhe kryebashkiaku i Nju Jorkut Eric Adams.

Sipas dëshmitarëve, autori mbante  një jelek portokalli dhe kishte vënë një maskë gazi. Ai ishte i veshur si një punonjës i Autoritetit të Transportit Metropolitan dhe kjo gjë bëri më të lehtë arratisjen mes turmës.

Kryetari i Bashkisë së New York-ut, Erik Adams u ka kërkuar banorëve të qëndrojnë larg zonës teksa mbi ngjarjen është lajmëruar edhe presidenti Amerikan Joe Biden.

Leave a Reply