Super Liga Europiane merr aprovimin e gjykatës

Klubet mund të organizohen jashtë FIFA-s dhe UEFA-s

Super Liga europiane e futbollit do të zhvillohet. Gara futbollistike që do të organizohet nga Real Madrid dhe Barcelona do të jetë jashtë autoritetit të FIFA-s dhe UEFA-s. Gjykata Europiane e Drejtësisë dha mëngjesin e kësaj të enjteje vendimin që i zhvesh dy organizmat më të mëdhenj ndërkombëtarë të futbollit nga monopoli i ndeshjeve apo garave futbollistike.

“Rregullat e FIFA-s dhe UEFA-s, të cilat nënshtrojnë çdo projekt të ri futbolli, si Super Liga ndaj miratimit paraprak, dhe që i ndalojnë klubet dhe lojtarët të luajnë në këto gara, janë të paligjshme. Nuk ka kornizë për rregullat e FIFA-s dhe UEFA-s që garanton që ato të jenë transparente, objektive, jodiskriminuese dhe proporcionale”, njoftoi Gjykata Europiane e Drejtësisë.

Gjykata Europiane e Drejtësisë nuk shprehet nëse Super Liga duhet të zhvillohet ose jo pasi sipas saj kjo është e drejtë e vetë klubeve të cilat do të marrin pjesë në të, por nga ana tjetër gjykata goditi si FIFA-n ashtu edhe UEFA-n të cilët kërcënuan me përjashtim nga kompeticionet e tyre klubet dhe lojtarët që do të merrnin pjesë në Super Ligë.

“Ky pushtet duhet t’i nënshtrohet, kritereve të duhura, për të siguruar që ato të jenë transparente, objektive, jodiskriminuese dhe proporcionale. Megjithatë, kompetencat e FIFA-s dhe UEFA-s nuk i nënshtrohen asnjë kriteri të tillë. Prandaj FIFA dhe UEFA po abuzojnë me pozitën dominuese”, thuhet në vendim.

Një goditje e rëndë ndaj FIFA-s dhe UEFA-s si dy organe që kanë deri tani kanë abuzuar me pasjen e ekskluzivitetit të organizimit të garave futbollistike. Nga ana tjetër fitorja e Super Ligës europiane është një precedent dhe inkurajim për të gjitha klubet në mbarë botën, të cilat deri më tani u janë nënshtruar rregullave të organizmave ndërkombëtar pa asnjë kundërshtim.

Leave a Reply