Sveçla: Fokusi i ministrisë është dhe do të vazhdojë të jetë në luftimin e krimeve të ndryshme

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka marrë pjesë në forumin ministerial mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor për Drejtësi dhe Punë të Brendshme në Brdo të Sllovenisë.

Ai ka bërë të ditur se në këtë konferencë është diskutuar për rëndësinë e bashkëpunimit në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, migrimit të paligjshëm, si dhe terrorizmit e ekstremizmit të dhunshëm.

“Në margjinat e kësaj konference, jam takuar edhe me drejtoreshën ekzekutive të Europolit, znj. Catherine De Bolle. Në takim me znj. De Bolle, ritheksova përkushtimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Policisë së Kosovës për të luftuar krimin e organizuar transnacional, si dhe u dakorduam me znj. De Bolle që të operacionalizohen dy marrëveshjet tashmë të nënshkruara me Europolin dhe të intensifikohen punët për nënshkrimin e marrëveshjes së radhës,” shkroi Sveçla në një postim në Facebook.

Tutje thuhet se i pari i MPB-së është takuar edhe me koordinatorin për drejtësi të presidencës franceze, Sebastian Morgen. Me të bëhet e ditur se ka diskutuar për prioritetet dhe bashkëpunimin konkret në fushën e sundimit të ligjit, luftimit të krimit e korrupsionit si dhe menaxhimit të emergjencave.

“Kam theksuar se fokusi i ministrisë është dhe do të vazhdojë të jetë në luftimin e krimeve të ndryshme si trafikimi i qenieve njerëzore, narkotikëve, kontrabandimi i migrantëve si dhe trafikimi i armëve të vogla dhe të lehta. Kam paraqitur rezultatet e arritura deri më tani, si dhe nevojën për mbështetje në ngritjen e kapaciteteve njerëzore dhe teknike në luftën kundër krimit të organizuar.”

Takimi u organizua nga Presidenca Sllovene e Këshillit të BE-së.

Leave a Reply