Bashkësia Fetare Islame sa më parë duhet të vihet në binare të shëndosha, duhet t’i kthehet vetëvetes dhe t’ju shërbejë ekskluzivisht myslimanëve të vendit. BFI ka traditën e vet, ka historinë e vet dhe, për t’i ruajtur këto, i duhet një reformë e thellë dhe gjithëpërfshirëse! Kështu siç po zhvillohen punët, në mënyrë krejt amatore dhe krejt nonshalante, ky Institucion po ngelë pa perspektivë, ndërsa për këtë do të bartin përgjegjësi morale edhe ata që BFI-në e lanë në dorë të injorantëve që po drejtohen nga i gjori Shaqir Fetai
Nga Mr. Eset Shaqiri
Tre vite më parë, njohës të hollë të akteve normative të Bashkësisë Fetare Islame, sidomos të Kushtetutës së saj, por dhe njerëz mjaft me përvojë në organizimin e jetës fetare institucionale, themeluam Këshillin për mbrojtjen e kushtetutshmërisë së BFI-së! Ky Këshill përkon me post-situatat e krijuara pas realizimit të një puçi klasik mbi ish-reisul ulemanë H. Sulejman ef. Rexhepin! Që nga kjo situatë, çdo gjë tutje po rridhte jasht kornizës kushtetutare si dhe të akteve të tjera normative të BFI-së. Të vetëdishëm se disa qarqe jodashamirëse të këtij Institucioni po këmbëgulnin në instalim të një praktike shumë të shëmtuar dhe të rrezikshm në BFI (marrja e pushtetit me puç, ndihmuar nga qarqet politike të pushtetit), si dhe plotësisht të bindur se BFI-ja kurrë më nuk do të jetë në formatin e më parshëm, ngritëm iniciativën që vëllazërisht të kontaktojmë e të zhvillojmë debat konsruktiv me sa më shumë nëpunës të BFI-së, përfshirë këtu edhe “reisin” e instaluar, Shaqir Fetain, me qëllim të sensibilizimit të të gjithëve që çdo veprim përtej Kushtetutës së BFI-së do të ishte gabim fatal për perspektivën e këtij Institucioni. Dhe, ja ku jemi tani – gati sa s’jemi bërë gaz i botës!
Përpekjet tona, pra të Këshillit për mbrojtjen e kushtetutshmërisë së BFI-së, për të biseduar edhe me Shaqir Fetain, hasën në kundërshtimin e tij kategorik, në refuzimin brutal të tij me fjalë nga më banalet dhe duke na “qortuar” se pse ne kishim kontaktuar me ish-reisul ulemanë, H. Sulejman ef. Rexhepin!
Insistimi ynë në këtë debat vëllazëror ishte që të stopohen veprimet që binin ndesh me akteve normatve të BFI-së, jo nga synimet për shkelje të qëllimshme të akteve normative, por, për shkak të mosnjohjes së tyre me materiet juridike të BFI-së. Ky Institucion ishte vënë nën llupën e organeve të drejtësisë si dhe të përfaqësuesve të shumtë diplomatikë të cilët e kishin Kushtetutën e BFI-së dhe po vërenin qartë se Institucioni ishte shndërruar në një fushëmejdan bashibuzukësh!
Hapeshin “institute” me një qasje nonshalante mbi konceptin “Institut”, hapeshin sektore askund të parapara me Kushtetutën e BFI-së, ngriteshin në organe subjekte e drejtuar nga koordinatorë, harxhohej vakëfi (bonot në vlerë janë vakëf) në mënyrë të padhimbshme, krejt kjo që të krijohen mundësitë dhe “trupa votuese” e cila do t’ia siguronte zgjedhjen “reis” Shaqir Fetait deri në pensionimin e tij (në prill të këtij viti ai duhej të ecte)!
Periudha e pensionimit të Shaqir Fetait përkoi me një “puç” të ngjashëm, tashmë kundër tij, madje nga po të njëjtit që e zhvilluan më parë kundër H. Sulejman ef. Rexhepit! Shaqir Fetai, në vend se të jepte dorëheqje, sepse kundër tij ishin shprehur e nënshkruar 12 anëtarë të Rijasetit, Shaqir Fetai konvokon mbledhje të jashtëzakonshme që zgjati prej orës 01 e deri në pra 04 të mëngjesit, duke u munduar që t’i bindë (po thonë edhe me polici) nënshkruesit se kishin bërë gabim, apo edhe duke informuar se kishte sjellë vendime për shkarkim apo edhe sistematizimin e tyre nëpër vende të tjera pune!
Shaqir Fetai erdhi dhe po e përfundon karrierën duke shkelur Kushtetutën dhe çdo akt tjetër normativ të këtij Institucioni! Meqë nuk kishte kuorum, meqë nuk kishte anëtarë të mjaftueshëm të Rijasetit, Shaqir Fetai ia merr kompetencat Rijasetit dhe sillet tamam si me qenë vetë ai “organ kolektiv” duke sjellë vendime jasht kompetencave të veta të grabitura! Me këtë rast, i njollosi, i devalvoi dhe i zhgënjeu të gjithë mbështetësit e tij nga segmentet politike të pushtetit, ndërsa, nuk e besojmë që nuk do t’i vë në lëvizje edhe organet e drejtësisë për t’ia tërhequr vërejtjen për keqpërdorim të pozitës, të detyrës zyrtare dhe për tejkalim të kompetencave!
Bashkësia Fetare Islame sa më parë duhet të vihet në binare të shëndosha, duhet t’i kthehet vetëvetes dhe t’ju shërbejë ekskluzivisht myslimanëve të vendit. Bashkësia Fetare Islame ka traditën e vet, ka historinë e vet dhe, për t’i ruajtur këto, i duhet një reformë e thellë dhe gjithëpërfshirëse, në të kundërtën, druajmë se do të përfundojë keq! Kështu siç po zhvillohen punët, në mënyrë krejt amatore dhe krejt nonshalante, ky Institucion po ngelë pa perspektivë, ndërsa për këtë do të bartin përgjegjësi morale të gjithë ata që u bënë shkaktar që BFI-në ta lënë në dorë të injorantëve që po drejtohen nga i gjori Shaqir Fetai! BFI-ja është shtëpi e hoxhallarëve dhe jo stacion policësh që pengojnë hoxhallarë per t’u futur në Shtëpinë e vet!