Ministri i Jashtëm italian kundërshton qëndrimin e Presidentit Emmanuel Macrom
Italia distancohet nga deklaratat e presidentit Emmanuel Macron i cili kohë më parë la të kuptohet se dërgimi i trupave të NATO-s në Ukrainë nuk përjashtohet në rast se Moska përshkallëzon sulmet.
Ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani, në një aktivitet në qytetin e Veronës, u shpreh kundër mundësisë së dërgimit të trupave në Ukrainë.
“Unë besoj se NATO nuk duhet të hyjë në Ukrainë dhe shpresoj që kjo të mos ndodhë“, tha Tajani, duke shtuar se me një vendim të tillë do të rrezikonte nisjen e luftës së Tretë Botërore.
“Të gjithë njerëzit me arsye të shëndoshë nuk do të donin përshkallëzimin e konfliktit”, shtoi ministri i cili komentoi edhe deklaratat e Papës.
Ati i Shenjtë i bëri thirrje Ukrainës pak ditë më parë të gjente kurajë për të ngritur edhe flamurin e bardhë nëse është nevoja, vetëm për t’i hapur rrugë bisedimeve për zgjidhje paqësore të konfliktit me Rusinë. Ministri italian u shpreh se nuk shikon asnjë problematikë në qëndrimin e Atit të Shenjtë duke thënë se ai po bën vetëm thirrje për paqe.