Nami i doli NSA-së amerikane, por duket se në maninë për të parë pas vrimës së çelësit, garojnë të gjithë. Mes tyre edhe kampionët e mbetur të liberalizmit global, gjermanët.
Revista “Spiegel” raporton se në raportin final të hetimit që parlamentit gjerman bëri mbi aktivitetin e shërbimit të jashtëm, BND, përgjimi ndaj ShBA-së nuk figuron. Ose më mirë nuk thuhet shprehimisht. Mirëpo revista në fjalë shkruan se ka parë dokumente në të cilat kuptohet fare qartë se BND-ja ka patur interes të gjerë dhe ka kryer veprimtari të gjerë spiunazhi ndaj ShBA-së në vitet 1998-2006. Ish kreu i shërbimit, Gerhard Schindler foli dikur për një “kapje rastësore të dhënash”, një justifikim ky që mund të shkojë për ndonjë tregim për shkollën fillore.
“Spiegel” shkruan se në dokumente rezulton se interesi për ShBA-në ka qenë i madh dhe duke lexuar objektivat merret vesh se kemi të bëjmë me konkurencë ekonomike.
“Inteligjenca gjermane përdori selektorët për të survejuar telefonat dhe numrat fax si dhe llogaritë e-mail që u përkisnin kompanive amerikane si Lockheed Martin, NASA-s, Human Rights Watch, disa universiteteve, objekteve si Forcat Ajrore, trupat Marinse, Agjencisë së Inteligjencës së Mbrojtjes etj.”, shkruan “Spiegel”.
Në aktivitet përfshihen edhe të dhënat nga 100 ambasada në Washington, FMN, apo edhe Zyra e Ligës Arabe. Po kështu revista zbulon se hamendësimi i dikurshëm për një aleancë kundër terrorizmit mes shërbimeve sekrete perëndimore, konfirmohet. Në to bën pjesë edhe shërbimi gjerman dhe ShBA nën petkun e një njësie elitë të quajtur Camolin./ResPublica/