“Thuj: Namazi im, kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime janë thjesht për Allahun, Zotin e botëve” (El-en’amë, 162)
Të dashur myslimanë! Motra e vëllezër! Sot festojmë Kurban Bajramin, festën që personifikohet me gatishmërinë e krijesës më të përsosur të Krijuesit të Gjithësisë për të sakrifikuar në emër të Tij gjënë më sublime. Së këndejmi, jo vetëm lutjet dhe ibadetet tona, por çdo veprim i ynë njerëzor, duhet të jenë në emër të Allahut të Madhërishëm. Vetëm në këtë mënyrë veprimet tona do të kishin kuptim, sepse do ta arrinin kënaqësinë e Allahut. Kur arrihet kjo kënaqësi e të Madhit Zot? Vetëm me lutje, me ibadete, duke qenë indiferent ndaj çdo gjëje që ndodhë para e rreth nesh? Edhe largimi i një guraleci nga rruga që mund ta pengojë ndonjë kalimtar të rastit është gjest që vlerësohet pa masë nga i Plotëfuqishmi.
Udhëtimin tonë jetësor e kemi me plotë pengesa, me plotë sfida që na e testojnë njerëzillëkun tonë, devotshmerinë, sinqeritetin tonë për t’ia dorëzuar jetën Falësit tonë, ashtu siç na e dhuroi, të pastër, pa asnjë njollë.
Një fjalë e mirë në formë të apelit për ta luftuar të keqen, për të ikur nga veprimet e shëmtuar që shtojnë kënaqësinë e djallit, një këshillë humane, një sinjalizim i së keqes që i rri pezull njeriut, komunitetit, shoqërisë – të gjitha këta veprime e gjeste që bëhen absolutisht për hirë të Allahut të Gjithëdishëm, vlerësohen si sakrificë dhe si përkushtim për zbatimin e të gjithë urdhërave kuranore.
Motra e vëllezër, besimtarë të dashur, nuk jemi prej atyreve që e arrijmë kënaqësinë e Allahut xh. sh. nëse nuk e përmbushim misionin e shenjtë – të luftojmë çdo të keqe që kryhet nën petkun fetar, çdo veprim djallëzor që kryhet në emër të Allahut të Madhërishëm!
Të jemi sa më humanë me njëri tjetrin, ta zgjasim dorën e humanizmit, të jemi me zemër të bardhë, ta ndihmojmë skamnorin, jetimin, atë që ka nevojë për një ndihmë, madje për të qenë në sherbim të humanizmit na ka hije që të sakrifikojmë nga vetja gjëra që na duken shumë të shtrenjta, sepse do të shpërblehemi nga Krijuesi ynë.
Të dashur besimtarë, në vendet e shenjta i kemi më të dashurit tanë që po e kryejnë Haxhin! Ju ftoj të lutemi për shëndetin e tyre, të lutemi që Allahu t’ua pranojë të gjitha ibadetet dhe t’i bëjë të denjë e të lumtur nën titullin haxhi! Ata që therën kurbanë për hirë të Zotit mëshirëplotë, paçin begatinë e Tij.
Ju qoftë për hajër Kurban Bajrami, uroj në familjet tuaja, shëndet, harmoni, humanitet e shumë mbarësi. Le të lutemi që çdo përpjekje e jonë, çdo mund e sakrificë të jetë vetëm për hirë të të Madhit Zot! Paçim bekimin e Tij!
Afrim Tahiri (Drejtues i Lëvizjes Myslimane për Reforma bë BFI të RMV-së)