Protestuesit e opozitës nisën të grumbulloheshin para godinës së seancave plenare të Kuvendit, për t’iu përgjigjur thirrjes së Partisë Demokratike për të protestuar kundër zgjedhjes së kryeprokurorit të përkohshëm.
Para se t’i drejtohej Kuvendit, Lulzim Basha mblodhi grupin parlamentar demokrat. Mbledhja përfundoi pak para orës 10:00 dhe kreu i PD e deputetët e opozitës u nisën drejt Kuvendit. Mbledhja ka patur si qëllim koordinimin mes deputetëve në seancë dhe protestuesve të jashtë saj.
Në fjalën e mbajtur në Kuvend, Lulzim Basha kërkoi heqjen nga rendi i ditës i zgjedhjes së kryeprokurorit të përgjithshëm të përkohshëm.
“Sot është një nga ditët më të rënda për demokracinë, më të vështira për qytetarët që duan një vend demokratik ku respektohet ligji dhe Kushtetuta. Sot në dhunim flagrant të kushtetutës, shumica parlamentare kërkon të marrë një pushtet që nuk i takon. Është një seancë antikushtetuese, sot në mënyrë tinzare po bëheni gati për një grusht shteti”, tha Basha.
“Ke një kërkesë me shkrim institucionale nga tri grupet parlamentare opozitare. Të mos lejojmë dhunimin sot të kushtetutës. Kushtetuta ta ndalon që të bësh aktin që ke futur në rendin e ditës, kapjen e prokurorit të përgjithshëm me votat e një partie politike. Reforma në drejtësi ta thotë se prokurori nuk mund të zgjidhet me më pak se 3/5 e votave. Tërhiquni nga kërkesa!”, vijoi Basha.
“Do t’i qëndrojmë dhëmb për dhëmbë kryehorrit të Shqipërisë, atij që kërkon sot të bëhet edhe kryeprokuror i Shqipërisë”, tha Berisha.
Taulant Balla foli më herët nga mazhoranca, por ai shmangu replikat me opozitën.
Ndërkohë, forca të shumta policie janë vendosur para Kuvendit për të shmangur incidentet e mundshme.
Mazhoranca ka paralajmëruar hedhjen në votim të tre emrave për postin e kryeprokurorit të përkohshëm. Kandidaturat janë Ferdinand Elezi, Arta Marku dhe Ermira Tafani, të vetmit që sipas Komisionit të Ligjeve plotësonin kriteret nga 7 kandidatët fillestarë.