Situata është tensionuar në veri të Kosovës me serbët të cilët nuk pranojnë reciprocitetin me targat e automjeve të vendosura nga Prishtina zyrtare.
Mediat në Kosovë raportojnë se Qendra e Regjistrimit në Zubin Potok është djegur gjatë natës nga serbët që banojnë aty. Ky veprim i tyre ka ardhur si pasojë e pakënaqësisë ndaj vendimit të qeverisë kosovare për targat e automjeteve që hyjnë nga Serbia.
Po kështu, ka raportime se edhe në Qendrën e Regjistrimit në Zveçan, serbët kanë hedhur granata dore. Por nuk kanë mundur që ta djegin këtë zyrë. Nga ngjarja nuk raportohet që të ketë persona të lënduar.
Ndërkohë Policia e Kosovës ka shkuar në Zubin Potok dhe Zveçan për të vendosur situatën nën kontroll.
Prej 6 ditësh në veri të Kosovës situata është e tensionuar për shkak të vendimit të qeverisë kosovare për automjetet që hyjnë nga Serbia duhet të pajisen me targa provizore. Të njëjtin rregull, Serbia e aplikon prej kohësh ndaj qytetarëve të Kosovës.
Ministri i Brendshëm: Akt kriminal me elemente terroriste
Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Zveçla ka reaguar pas situatës së shkaktuar në veri të vendit, ku Qendra e Regjistrimit të Automjeteve në Zubik Potok është djegur pas mesnate.
Në një postim në Facebook, ai e konsideron ngjarjen akt kriminal me elemente terroriste.
Ministri Zveçla thotë gjithashtu se edhe në Zveçan është sulmuar Qendra e Regjistrimit Civil, ku dyshohet se është hedhur granatë dore.
“Sot ora 01:00 pas mesnate, nga një akt kriminal me elemente terroriste të shkaktuar nga persona të dyshimtë është djegur Qendra e Regjistrimit të Automjeteve e cila gjendet në objektin e komunës në Zubin Potok. Policia e Kosovës ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe së shpejti do të kemi më shumë informata. Po ashtu, është sulmuar edhe Qendra e Regjistrimit Civil në Zveçan ku dyshohet edhe për një mjet shpërthyes. Këto veprime kriminale tregojnë më së miri se çfarë do të ndodhte në pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak nëse nuk do të kishim praninë e njësive speciale për të garantuar rend dhe siguri.
Ministria e Punëve të Brendshme me agjencitë e saj angazhohet për rend, siguri dhe sundim të ligjit dhe është garant i vendimeve sovrane të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe përkundër veprimeve të tilla do të vazhdoj me angazhim të plotë në zbatimin e vendimit në tërë territorin e Republikës së Kosovës. Ftojmë qytetarët në veri që të respektojnë ligjet dhe të mos dirigjohen apo manipulohen nga ata të cilët mbijetojnë politikisht, apo përfitojnë materialisht, vetëm falë tensioneve”, thotë ministri i Brendshëm i Kosovës.