Thaçi: Aktakuza është e paqëndrueshme, deklarohem i pafajshëm plotësisht

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi është deklaruar i pafajshëm për aktakuzën që e rëndon nga Gjykata Speciale.

Ai ka thënë se aktakuza është e paqëndrueshme

“Aktakuza është e paqëndrueshme, deklarohem i pafajshëm plotësisht për të gjitha pikat e aktakuzës”, tha ai.

Sekretari administrativ i Dhomave të Specializuara në Hagë, ka lexuar pikat e aktakuzës të cilat e rëndojnë ish-presidentin Hashim Thaçi.

Ai ka thënë se Thaçi akuzohet për vepra penale si krime lufte dhe gjashtë tjera si krime kundër njerëzimit.

“Thaçi akuzohet për këto vepra penale si krime lufte që janë: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme si dhe për këto vepra penale që janë krime kundër njerëzimit që janë: përndjekje, burgosje, akte tjera çnjerëzore, torturë, vrasje dhe zhdukje me forcë e personave”, u shpreh sekretari administrativ i Speciales.

Ai tha se këto krime u kryen në mes të prillit 1998 dhe gushtit 1999 në Kosovë dhe Shqipëri veriore.

“Ato u kryen në këto vende si: Bajgorë, Llapashticë, Majanc, Potok dhe vende tjera në komunë e Podujevës, vende tjera në komunën e Rahovecit, Drenasit, Ferizajt, Gjilanit, Jabllanicë në Gjakovë, Kaçanik dhe vende tjera në komunën e Lipjanit, Likoc në Skenderaj, Malishevë, në Klinë, Novobërdë, vende tjera në komunën e Prishtinës, Prizrenit, Suharekës dhe Viti dhe Cahan dhe Kukës në Shqipërinë veriore”, tha ai.

Ai shtoi se krimet në pikat 1,2,4,6,8 u kryen si pjesë e një sulmi ndaj popullatës civile.. këto krime kishin në shënjestër kundërshtarët që kishin lidhje me forca, nuk përkrahin UCK-në dhe ishin kundër qeverisë së përkohshme duke përfshirë edhe persona që kishin lidhje me LDK-në.

Kurse krimet në pikat 3.5.7.9 u kryen kundër personave që nuk merrnin pjesë në luftime aktive.

Leave a Reply