Zv.kryeministri dhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi, ka deklaruar se përpjekjet për të ndryshuar historinë e gjenocidit të regjimit të Millosheviçit me anë të Gjykatës Speciale, janë të kota.
Gjatë fjalimit të tij në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, Thaçi ka folur për fluksin e madh të emigrantëve në fillim të këtij viti, duke shprehur pakënaqësi te Serbia për hapjen e kufijve me Hungarinë. Ai ka theksuar se ka shumë prova në internet, që dëshmojnë se policia serbe merrte edhe bakshishe për të ndihmuar emigracionin e paligjshëm.
Ai ka theksuar edhe pritshmëritë e kosovarëve te bashkimi Europian për liberalizimin e vizave për Kosovën, si shtet i fundit në Ballkan që ende ka nevojë për viza Shengen. “Liria e lëvizjes është një nga faktorët kyç që rrit frustrimin e kosovarëve”- ka thënë Thaçi.
Thaçi ka kërkuar që pala serbe të jetë më serioze në procesin e dialogut dhe të mos angazhohet në propagandë destruktive, e cila shpesh e rrezikon edhe procesin e dialogut.
“Unë jam takuar gati 40 herë me lidershipin serb dhe me ministrin e Jashtëm Daçiç dhe dua të besoj se kanë kaluar kohët e propagandës raciste kundër Kosovës. Ne duhet të shikojmë njëri-tjetrin në sy dhe të flasim si fqinjë”- ka thënë Thaçi.
Thaçi folur edhe për zhvillimet e fundit në Maqedoni.
“Në Maqedoni kemi pasur një incident të dhunshëm, ku kanë vdekur policë dhe persona të armatosur. Nga Qeveria maqedone jemi njoftuar se një numër i atyre të vrarëve dhe të arrestuarve janë nga Kosova. Por, më lejoni që para jush sot të jem përsëri i qartë, ashtu siç kam qenë edhe në javët e kaluara: Qeveria e Republikës së Kosovës e dënon dhunën e përdorur në Maqedoni dhe këmbëngul që të vetmet zgjidhje për çfarëdo problemi në Ballkan, të kërkohen përmes dialogut dhe pjesëmarrjes në institucione. Ne nuk përkrahim, as nuk do ta përkrahim kurrë asnjë tendencë për të destabilizuar rajonin nga kushdo qoftë. Maqedonia është partnere dhe aleate e Kosovës në integrime në Unionin Europian dhe NATO dhe ne përkrahim Marrëveshjen e Ohrit si të vetmen kornizë në Maqedoni”- është shprehur ai.
Thaçi është ndalur edhe tek akuzat e hedhura ndaj Kosovës dhe Shqipërisë se po punojnë për krijimin e Shqipërisë së Madhe.
“Më shumë flitet për Shqipërinë e Madhe në Beograd, se në Prishtinë. Ne kemi fituar luftën ndaj regjimit të Millosheviçit. Po ashtu fituam edhe pavarësinë sipas planit të negociatorit të Kombeve të Bashkuara, Marti Ahtiasarit. Ne do të arrijmë të fitojmë edhe betejën për integrimin e rajonit në NATO dhe BE. Ata që janë kundër NATO-s dhe Unionit Evuopian kanë dëshirë të krijojnë mjegull dhe të rrezikojnë progresin në Ballkan, por ne nuk do të lejojmë që këta veprimtarë kundër NATO-s dhe Unionit Europian, kudo që gjenden ata, të prishin suksesin e arritur në Ballkan pas pavarësisë së Republikës së Kosovës”- ka theksuar Thaçi.
Duke folur për akuzat nga raporti i Dick Martit, Thaçi ka thënë se Kosova ka vazhduar me procesin e themelimit të Dhomave të Posaçme në kuadër të sistemit të drejtësisë së Kosovës, që do të përfundonin proceset e ndërlidhura me raportin e prokurorit Ëilliamson rreth akuzave të Dick Martit.
“Ne besojmë se shumica e këtyre akuzave janë thashetheme dhe krejtësisht të pabazuara, por për të pastruar luftën tonë dhe për të izoluar rastet individuale kur ka mundur të ketë veprime negative, ne do ta themelojmë këtë institucion të pavarur dhe ndërkombëtar. Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka marrë vendim për ndryshimet e Kushtetutës që mundësojnë themelimin e Dhomave të Posaçme dhe Kuvendi i Kosovës do të votojë me 29 maj krijimin e tyre”- është shprehur ai.
Por, sipas tij, pas gjykimeve të gjyqeve të UNMIK-ut, pas gjykimeve nga Tribunali i Hagës, pas gjykimeve nga EULEX-i dhe gjykatat lokale, kjo është hera e pestë që po hulumtohen rastet e krimeve të luftës nga individë në ish-Ushtrinë Çlirimtare të Kosovë.
“Ne e dimë që edhe Kongresi Nacional Afrikan i Nelson Mandelës ka pasur individë që kanë bërë krime. Edhe lëvizjet e tjera guerile kanë pasur, por është me rëndësi t’ju them këtu se Republika e Kosovës dhe unë personalisht kurrë nuk do të lejojë që Dhomat e Posaçme të krijuara për dyshimet e Raportit të Dick Martit të përdoren për të rishkruar historinë tonë”. Kot tentojnë disa ta përdorin këtë instrument për të ndryshuar historinë se luftërat në Ballkan janë shkaktuar nga qeveria e kaluar e Serbisë. Askush në Ballkan, por as më gjerë nuk do të harrojë terrorin dhe gjenocidin e ushtruar nga Sllobodan Millosheviçi dhe përkrahësit e tij. Askush në Ballkan, por as në botë nuk do të harrojë se në Srebrenicë është kryer gjenocid nga ana e forcave serbe. Askush nuk do të harrojë as verdiktin e Tribunalit të Hagës kundër lidershipit të Serbisë që ka konstatuar pa asnjë fije mëdyshje se qeveria serbe ishte fajtorja kryesore në luftën e Kosovës për pastrime etnike dhe për qëllim të krijimit të Serbisë së MadheZëvendëskryeministri Hashim Thaçi, njëherësh ministër i Jashtëm i Kosovës ka deklaruar është humbje kohe të tentohet që me Gjykatën Speciale të ndryshohet historia e gjenocidit që ka bërë regjimi i Milloshevicit”- është shprehu zv.kryeministri i Kosovës.