Aulona dhe Fatma kanë zgjedhur që në episodin e parë të programit të tyre “Thumb”, që prej kësaj të shtune transmetohet në ABC News, të sjellin për publikun rrëfimin ekskluziv të Barbana Dinit, motrës së këngëtarit të ndjerë Ergi Dini, i cili pak muaj më parë humbi tragjikisht jetën në një aksident me motor.
Në intervistën e saj të parë që prej ndarjes nga jeta të vëllait të saj 22 – vjeçar, Barbana ka rrëfyer për jetën pa Ergin dhe dhimbjen e madhe që shkaktoi humbja e tij.
“Është një luftë e madhe e përditshme me dhimbjen, me boshllëkun, me mallin, me realitetin. Është shumë e vështirë për mua që të gjej fjalë për të përshkruar të gjitha ato ndjesi që ndodhen brenda meje në këto momente. Pika ime e fortë ka qenë familja. Duke qenë e tillë mendoj që detyrimi im nuk ka mbaruar akoma në këtë jetë. Tashmë kam një detyrim më të madh, për të jetuar për dy. Realisht kanë ndryshuar shumë gjëra, në radhë të parë ndryshimi i konceptit për jetën, që e kemi çdo gjë në dorë dhe çdo gjë është rezultat i veprimeve apo i zgjedhjeve tona dhe ky është gabimi i madh. Sepse ne njerëzit jetojmë dhe mendojmë si të përjetshëm dhe harrojmë se do të ikim një ditë nga kjo botë…”
Por si e mësoi Barbana lajmin për të vëllanë? Një telefonatë aspak e këndshme, që ajo nuk do ta harrojë kurrë i la shijen më të hidhur… A ishin motorat pasioni i Ergit? Mediat këtë shkruajtën, ama fjalët e këngëtares dëshmojnë të kundërtën.
“Përveç ngjarjes, tragjedisë që shkaktojnë ngjarje të tilla, ndonjeherë duhet të përmballemi me njerëz të pa përgjegjshëm, që për arsye të ndryshme, duan të përçojnë mesazhe të gabuara duke mos u informuar mirë. Një mungesë profesionalizmi do të thoja dhe është abuzuar shumë me këtë pjesë. Për këtë fakt kam qenë dhe shumë e prekur dhe shumë e mërzitur të them të drejtën.. sepse Ergi realisht, unë e njihja më shumë se kushdo dhe kjo është pjesa që do më ngelet peng gjithmonë, që ai nuk i kishte qejf motorat. Po t’i kishte qejf, ai sigurisht do të kishte motorin e tij dhe nuk do të ishte pasagjer. Unë personalisht për këtë ngjarje jam njoftuar nga një gazetare, të cilës nuk dua t’ia përmend emrin dhe e cila më ka kërkuar falje. Por ndonjëherë dhe jo gjithmonë falja bën punë. Sepse unë atë telefonatë nuk do ta harroj kurrë… Nuk mundet kurrsesi një qenie njerëzore, çfarëdo profesioni që të ketë, t’i mungojë njerëzillëku deri në këtë farë pike, sa të marësh motrën në telefon për t’i konfirmuar që vëllai i saj nuk jeton më. Dhe kjo ka qenë pikërisht spuntoja e gjithë acarimit tim, me të drejtë. Sepse të paktën them diçka, nëse njerëzit nuk janë në gjendje të bëjnë mirë të paktën mos na bëjnë keq. ”
Njeriu nuk rresht kurrë së ëndërruari, e kjo është një nga arsyet që e mban atë gjallë, pavarësisht moshës, por për Ergin, artistin e ri të talentuar nuk rezultoi kështu. Mjaftoi vetëm një çast, që e gjithë ajo që ai ëndërronte apo dashuronte, të shuhej. E ndoshta një nga pengjet më të mëdha ishte fakti se, sa ishte mes nesh, nuk mori vlerësimin që meritonte.
“Ergi realisht, të gjitha ëndrrat e tij i la përgjysmë. Ky është peng, vetë mosha është një peng. Ai ishte një person që në një farë mënyre apo një tjetër, çdo person që e njohu, i la një peng. Pse e them këtë? E them këtë sepse realisht ai nuk e mori atë që e meritonte dhe kjo është një ndër pengjet më të mëdha. Jetojmë në një vend ku sa më shumë i talentuar të jesh, aq më shumë dyer të mbyllen dhe fatkeqësisht të paktën them, edhe pse jetojmë në një vend të çakorduar nga të gjitha anët, publiku nuk është i shurdhër, ia dha vlerësimin maksimal dhe e deshi, për atë që ai ishte, dhe për atë që ai bëri. Është gjynah të thuash dhe të pranosh se në këtë vend duhet pritur një ditë e tillë e zezë për një njeri, që të thuhen të vërtetat. Dhe artistët, sigurisht jo të gjithë, disa prej tyre pritën pikërisht këtë moment, për të thënë këtë të vërtetë, që nëse do t’ia thonin Ergit kur ishte, jam e sigurt që ai do të gëzohej shumë dhe do e vlerësonte shumë”.