Tragjedia në spitalin e Tetovës, shkon në 14 numri i viktimave

Ka shkuar në 14 numri i viktimave nga tragjedia në spitalin e Tetovës. Klan Macedonia raporton se nga shpërthimi që ndodhi dje në spital numri i viktimave është rritur dhe tashmë janë konfirmuar për 14 të tilla.

Ndërkohë bëhet me dije se në spital në momentin e shpërthimit kanë qenë 30 persona, personel dhe pacientë.

Klan Macedonia shton se gjatë shpërthimit kanë arritur që të largohen 6 persona. Zjarri tashmë është vënë nën kontroll, pasi një numër i madh zjarrfikësish kanë punuar gjatë gjithë natës.

Lidhur me shpërthimin në spital është zhvilluar dhe një mbledhje e Shtabit të Krizës në komunën e Tetovës, ku ka marrë pjesë dhe kryeministri Zoran Zaev.

Prokuroria: S’ka personel mjekësor në mesin e viktimave

Prokuroria në Maqedoninë e Veriut ka nisur hetimet për zbardhjen e shkaqeve të shpërthimit në spitalin e Tetovës, po ashtu po punohet dhe për identifikimin e viktimave.

Mediat në vend bëjnë me dije se prokurorët kanë dhënë urdhër për identifikimin e trupave të 14 personave që kanë humbur jetën në zjarrin.

Për disa nga viktimat do të duhet analizë e ADN-së që të vërtetohet identiteti i tyre. Deri tani nga prokuroria është njoftuar se nuk ka personel mjekësor në mesin e viktimave.

Hetuesit kanë marrë në pyetje punonjës të spitalit mobil me qëllim të zbardhjes së shkaqeve të zjarrit, njëkohësisht është dhënë urdhër që të sigurohen xhirimet e mbikëqyrjes së objektit.

Komuna e Tetovës shpall tre ditë zie për tragjedinë në spital

Këshilli i Komunës së Tetovë së mbledhjen e sotme ka marrë vendim që të shpall tre ditë zie për viktimat e tragjedisë së mbrëmshme.

Ndërkohë kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, në një deklaratë për mediat ka shprehur edhe njëherë ngushëllimet për familjarët e viktimave dhe ka kërkuar nga qytetarët që të informohen vetëm nga informacionet zyrtarë që dalin nga strukturat shtetërore.

Deri në informacionet zyrtare, do t’i presim ato dhe ne mënyrë të rregullt do t’ju informojmë. Në mbledhjen e radhës, pasi të kemi informacione më të detajuara për fatkeqësinë, nga fondet emergjente të Komunë së Tetovës do ti ndihmojmë familjet e viktimave. Kjo është dhimbje e madhe për gjithë Tetovën”, tha Teuta Arifi, kryetare e Komunës së Tetovës.

Nga tragjedia e ndodhur mbrëmë në spitalin e Tetovës kanë humbur jetën 14 persona, të cilët mësohen se janë të gjithë pacientë dhe nuk ka asnjë personel mjekësor në mesin e viktimave.

Leave a Reply