Një situatë kaosi ka përfshirë Parisin. Pikërisht në prag të samitit global të klimës, mijëra njerëz protestuan kundër masave të qeverisë franceze, të cilët kishin ndaluar tubimet e njerëzve në sheshet kryesore të Parisit.
Autoritetet e morën këtë masë në kuadër të ruajtjes së sigurisë maksimale në vend, por protestuesit i cilësuan si shtypje të të drejtave dhe lirive të tyre.
Qindra palë këpucë që ishin vendosur më herët për të simbolizuar njerëzit, u zëvendësuan me demonstrata që eskaluan në dhunë dhe përleshje me forcat blu.
Policia përdori gazin lotsjellës për të shpërndarë turmën. Njerëzit teksa protestonin bënin thirrje edhe për aksion për çështjen e ngrohjes globale.
Shumë prej tyre që u perfshin në përleshje kishin veshur maska apo kishin mbuluar fytyrat. Aktivistet mbuluan sheshin e “Place de la Republique”, por sikurse raportojnë mediat vendase, grupet e mëdha të njerëzve u shpërndanë pas përleshjeve me policinë.
Ndërkohë, marshime për sensibilizimin e ngrohjes globale u mbajtën në shumë qendra të botës. Rekordi u thye në Angli ku morën pjesë rreth 50 mijë vetë. Sipas aktivistëve ky është marshimi më i madh i klimës në historinë britanike. Tubimi i Londrës u drejtua nga lideri i opozitës, Jeremy Corbyn.
Po ashtu, 5000 njerëz mbuluan Madridin dhe 20 mijë Romën. Aktivistët kërkuan veprim për të kufizuar rritjen e temperaturës globale e cila deri tani është 1 gradë celcius më lart sesa mesatarja.
Gjithashtu në Berlin rreth 10 mijë protestues i bënë thirrje liderëve botërorë për të marrë masa konkrete. Në Sidnej, pankartat lexonin “Nuk ka asnjë planet B ku ne mund të shkojmë” dhe “kërkojmë solidaritet në një shkallë globale”.