Trembëdhjetë të plagosur nga të shtënat në Teksas

Në Austin të Teksasit në Shtetet e Bashkuara u raportua për të paktën 13 persona të plagosur pas të shtënave nga një person i cili ende është në kërkim nga policia.

Policia lokale tha se nuk është raportuar për viktima, por dy nga të plagosurit ishin në gjendje kritike.

Raportet thonë se autoritetet po kërkojnë një individ të vetëm i cili hapi zjarr rreth orës 1:30 të mëngjesit në një lagje argëtimi në qendër të Austinit.

“Nuk është e qartë se çfarë e shkaktoi incidentin”, tha shefi i përkohshëm i Departamentit të Policisë së Austinit, Joseph Chacon.

“Nuk mund të them se nuk ka rrezik tash për tash pasi i dyshuari ende nuk është në paraburgim”, tha Chacon.

Autoritetet thanë se të shtënat dukej se ishin një incident i izoluar, megjithëse një hetim për motivet e sulmit është ende në vazhdim.

Leave a Reply