Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e ka përsëritur edhe sot qëndrimin e tij se nuk ka ekzistuar kurrfarë bashkëpunimi apo marrëveshje e fshehtë, ndërmjet fushatës së tij presidenciale dhe agjentëve të qeverisë së Rusisë.
Duke folur shkurtazi para gazetarëve derisa ai po largohej nga Shtëpia e Bardhë, Trump tha se “absolutisht nuk ka pasur marrëveshje të fshehtë”.
Këto komente të tij u bënë një ditë pasi ish-këshilltari i tij për siguri kombëtare, Michael Flynn, e ka pranuar fajësinë për gënjim ndaj agjencisë FBI për kontaktet e tij me ambasadorin rus, gjatë periudhës tranzitore ndërmjet nëntorit të vitit 2016 dhe janarit të vitit 2017, kur Trump u inaugurua në Shtëpinë e Bardhë.
Sipas raporteve të mediave, Flynn është pajtuar të dëshmojë se ai ishte urdhëruar nga një zyrtar i lartë i paemëruar i ekipit të tranzicionit, për të krijuar lidhje me qeverinë ruse.