Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, deklaroi se takimi i tij me presidentin rus Vladimir Putin të premten ishte “i jashtëzakonshëm”.
Takimi i parë ballë për ballë midis dy udhëheqësve zgjati më shumë se dy orë dhe u mbajt në kuadër të samitit të G20-ës në Hamburg.
Trump e përshkroi takimin ndërsa fliste me kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar Theresa May të shtunën.
Nderkohe Sekretari i Shtetit Rex Tillerson tha se Presidenti Donald Trump e hapi takimin me Presidentin rus Vladimir Putin duke ngritur shqetësimet rreth ndërhyrjes së Rusisë në zgjedhjet presidenciale të 2016-ës.
Ai u tha gazetarëve në një konferencë në Hamburg të Gjermanisë se Presidenti Trump nguli këmbë pranë zotit Putin për këtë çështje gjatë takimit që zgjati më shumë se dy orë në periferi të një samiti të udhëheqësve botërorë.
Sipas zotit Tillerson, Presidenti Putin mohoi ndonjë përfshirje në zgjedhjet amerikane, ndërkohë që rusët u kërkuan Shteteve të Bashkuara të paraqesin dëshmi dhe prova për ndërhyrjen e tyre të dyshuar në zgjedhjet e 2016-s, që Rusia e mohon.
Sipas zyrtarëve amerikanë, Presidenti Trump nuk i pranoi mohimet ruse për ndërhyrje.
Zoti Tillerson tha se palët ranë dakord të vazhdojnë takimet. Kjo përfshin një grup të ri pune mbi sigurinë kibernetike dhe ndërhyrjen në zgjedhje.