Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se nuk ka parë asnjë provë të ndërhyrjes së mundshme të Rusisë në helmimin e kritikut të Kremlinit, Aleksei Navalny, por tha se nuk ka arsye të dyshojë në konkluzionin gjerman se ai është helmuar.
Trump i bëri komentet e para më 4 Shtator, disa ditë pasi Gjermania zyrtarisht tha se testet kanë dëshmuar për helmim të Navalnyt me një agjent nervor të grupit Noviçok.
Kancelarja gjermane, Angela Merkel ka thënë më 2 shtator se Gjermania i ka njoftuar partnerët e saj brenda Bashkimit Evropian dhe NATO-s, lidhur me këtë çështje, në mënyrë që të vendoset për një “reagim të duhur dhe të përbashkët”.
“Është e qartë se Aleksei Navalny është viktimë e krimit. Atij i është kërkuar të mbetet i heshtur dhe unë, në emër të qeverisë gjermane, e dënoj këtë në shkallën më të fuqishme të mundshme”, ka thënë Merkel, duke e cilësuar këtë rast “tentim-vrasje përmes helmimit”.
Trump tha se bazuar në deklaratat e Gjermanisë, ky duhet të jetë rasti, porse ai do të zemërohej shumë nëse kjo është e vërtetë.
Më herët më 4 shtator, Departamenti amerikan i Shtetit, shprehu shqetësim të madh për zbulimin se Navalny ishte helmuar.
Zëvendëssekretari i Shtetit Stephen Biegun, i tha ambasadorit rus Anatoli Antonov, se përdorimi i agjentit nervor të stilit sovjetik nga Moska do të ishte një shkelje e qartë e detyrimeve të Rusisë sipas Konventës së Armëve Kimike.
Zyrtarët amerikanë më herët kishin thënë se janë duke bashkëpunuar në hetimet për helmim të mundshëm dhe për të kërkuar llogari nga përgjegjësit.
Navalny, politikan dhe hulumtues i korrupsionit, njëherësh një prej kritikëve më të mëdhenj të Presidentit rus, Vladimir Putin, është sëmurëmë 20 gusht në avion, derisa ka qenë duke udhëtuar nga Siberia në Moskë.
Aeroplani është detyruar të bëjë ulje emergjente në qytetin Omsk, në mënyrë që Navalny të dërgohet në spital.
Pas spitalit siberian, ai më vonë është transferuar në një spital në Berlin, ku mjekët javën e kaluar kanë thënë se ka mundësi që Navalny është helmuar. /REL/