Trump: Vendosja e maskave është çështje vullneti

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve u bëjnë thirrje të gjithë amerikanëve që të vendosin maska kur dalin nga shtëpitë – si masë për frenimin e përhapjes së koronavirusit.

Trump, megjithatë, tha se rekomandimi është çështje vullnetare dhe se ai vetë nuk do ta vendosë maskën.

“Maskat do të jenë një gjë vullnetare. Mund t’i vendosni. Nuk do të thotë se duhet ta bëni. Unë zgjedh të mos e bëj. Mund të jetë një gjë e mirë. Është vetëm rekomandim, me vullnet”, tha Trump.

“Të vendos maskë derisa takoj presidentë, kryeministra, diktatorë, mbretër, mbretëresha – nuk e di. Disi, nuk e shoh për veten time”, tha Trump, edhe pse ka ndaluar të takojë zyrtarë të huaj disa javë më parë.

Udhëzimi nga Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në SHBA erdhi pasi SHBA-ja raportoi për mbi 1,400 të vdekur nga koronavirusi, vetëm brenda një dite.

Shtetet e Bashkuara deri më tash kanë mbi 278,000 raste të të infektuarve me koronavirus dhe mbi 7,000 viktima.

Shteti i Nju Jorkut mbetet zona e goditur më së keqi dhe guvernatori Andrew Cuomo ka kërkuar ndihmë nga pjesët e tjera të SHBA-së.

Leave a Reply