Në një telefonatë me stafin e fushatës presidenciale, presidenti Donald Trump thuhet se ka kërkuar shkarkimin e Anthony Faucit, ekspertit më të lartë të sëmundjeve infektive amerikane, duke e quajtur atë si një “katastrofë”.
“Njerëzit janë lodhur nga COVID”, tha Trump. “Njerëzit janë lodhur duke e dëgjuar Faucin dhe të gjithë këta idiotë”, shtoi ai, raporton CNN.
Presidenti shtoi se nëse do ta kishte dëgjuar mjekun në lidhje me COVID-19, SHBA-ja do të kishte “500 mijë vdekje”.
Sipas Universitetit Johns Hopkins, deri më tani kanë vdekur rreth 220 mijë persona shkaku i coronavirusit në Amerikë.
Fauci, i cili ka shërbyer si drejtor i Institutit Kombëtar të Alergjisë dhe Sëmundjeve Infektive për gati 40 vjet, ka kërkuar vazhdimisht një qasje të kujdesshme dhe të drejtuar nga shkenca ndaj pandemisë.
Ndryshe, Fauci reagoi javën e kaluar pasi fushata e Trumpit e përdori atë në një reklamë për rizgjedhjen e presidentit, ku sipas tij, e cituan “jashtë kontekstit”.