Familjarët e kosovarëve të vrarë në Kumanovë, kanë pritur rreth 12 orë para morgut të Shkupit për të marrë trupat e pajetë të të afërmve të tyre.
Kufomat nga Shkupi do të dërgohen në morgun e Prishtinës për një autopsi të re. Meqë nuk ju besojnë institucioneve maqedonase, familjarët e të vrarëve kanë kërkuar nga autoritetet kosovare edhe një herë të hetojnë rrethanat në të cilat u vranë të afërmit e tyre.
“Familjarët e të vrarëve janë këtu dhe pothuajse të gjithë po kërkojnë të bëhet riautopsia në Prishtinë. Ligjet tona lejojnë që dëshira e familjarëve të respektohet dhe ne do të bëjmë riautopsinë”, tha Arsim Gërxhaliu, Drejtori i mjekësisë ligjore në Prishtinë.
Sipas ambasadorit kosovarë në Maqedoni, Ylber Hysa, pala kosovare me kohë ka përmbushur të gjitha kërkesat e institucionet përkatëse në Shkup, por procedurat për marrjen e trupave nga morgu u zvarritën për rreth 12 orë nga autoritetet maqedonase.
“Nuk kemi parë prapavijë, por kemi parë procedura burokratike që zgjasin. Ne i jemi përgjigjur të gjitha kërkesave”, u shpreh Ylber Hysa, ambasadori i Kosovës në Maqedoni.
“Unë dua të them se në Kosovë do t’ju kishim lehtësuar shumë procedura përmes ambasadës maqedonase”, tha Gërxhaliu.
Në hyrje të Kosovës, shumë qytetarë nga Hani i Elezit po presin me flamuj kombëtarë të vrarët në luftimet e Kumanovës.
Nga të dhënave të fundit, rezulton se në Kumanovë kanë humbur jetën 10 pjesëtarë të grupit të armatosur dhe jo 14 siç kishte njoftuar fillimisht policia maqedonase.
Vetëm njëri prej të vrarëve në lagjen e Trimave është shtetas i Maqedonisë, të tjerët janë kosovarë.