Ashtu sikurse kishte paralajmëruar, presidenti Donald Trump ka dalë në krye të marshit për shpëtimin e Amerikës duke kundërshtuar atë që e quajti fitore të vjedhur nga demokratët e majtë.
Duke iu drejtuar turmës prej qindra mijëra njerëzish, Trump e nisi fjalën e tij me kritika të ashpra për median dhe kompanitë e mëdha të teknologjisë.
“Media nuk do ta tregojë magnitudën e kësaj turme të jashtëzakonshme. Media fake ndizni kamerat ju lutem dhe tregoni se cfarë po ndodh këtu, njerëzit kanë ardhur nga e gjithë bota. Media është problemi më i madh që kemi tani në vedin tonë, lajmet e rreme dhe big tech. Këtë vit ata vodhën zgjedhjet, edhe natën e kaluar të njëjtën gjë bënë. Ne nuk heqim dorë dhe nuk jemi mundur por do ti japim fund vjedhjes”, deklaroi Trump.
Kreu i Shtëpisë së Bardhë i bëri thirrje publikisht zv.presidentit Mike Pence që të mbrojë demokracinë dhe të kthejë mbrapsht votat elektorale të shteteve fushëbetejë, në seancën e sotme të numërimit në kongres.
“Shpresoj se Mike do të bëjë gjënë e duhur, nëse ai e bën këtë në fitojmë zgjedhjet. Ka të drejtën absolute për ta bërë sepse ne duhet të mbrojmë vendin tonë dhe kushtetutën. Ajo që Mike Pence duhet të bëjë është të kthejë mbrapsht certifikimin pasi votat janë vjedhur. Duhet të shpëtojmë demokracinë tonë. Demokratët përdorën pandeminë për të mashtruar njerëzit. Duke përdorur virusin kinez dhe votimin me postë, ata kanë bërë një vjedhje spektakolare të votave.”
Protestat që kundërshtojnë rezultatin zgjedhor janë zgjeruar edhe në shumë shtete të tjera amerikane, ku nuk munguan edhe përplasjet me forcat e rendit.