“Turp që jemi rusë”, me pankarta të tilla në duar, e të tjera që dënonin me forcë luftën dhe përcillnin mbështetje të pakufijshme për Ukrainën, protestues rusë i janë bashkuar tubuesve të tjerë në pjesë të ndryshme të botës, duke ngritur njësoj me ta zërin kundër ofensivës së Moskës ndaj vendit të saj fqinj.
“Vladimir Putinit i ka ikur mendja. Si mund të ketë një luftë të tillë në shekullin e 21-të. Po na kthen mbrapsht në kohërat e Mesjetës”, tha për The Guardian një demonstrues.
Nga New Yorku, në Brazil, Tokio e Indi, njerëzit kanë dalë në rrugë për të treguar solidaritetin e tyre të plotë me Ukrainën në këtë moment të vështirë për të. Një qytetar rus, Pavel Mezentsev protestoi në rrugët e New Yorkut krah për krah ukrainases Sasha Kopieiko.
“Në këto momente, ndihem i turpëruar për vendin tim dhe për këtë luftë të cmendur që nisi Putin. Nuk e di c’ndodhi në kokën e tij. Nëse do të kisha gjë në dorë për ta ndaluar këtë luftë, do ta bëja pa asnjë ngurrim, por nuk varet prej meje”, tha protestuesi rus Pavel Mezentsev.
“Familja ime është në Kiev. Atje kam motrën me fëmijët e saj të vegjël, janë të tmerruar. Frikësohen në cdo moment për jetët e tyre”, tha ukrainasja Sasha Kopieiko.
Në Rusi mjaft njerëz besojnë se agresioni rus kundër Ukrainës nuk është midis Moskës dhe Kievit, por Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara. Mediat shtetërore janë përpjekur të tregojnë se Amerika dhe Perëndimi janë fajtorë për gjithçka sepse shtynë Ukrainën drejt një komploti kundër Rusisë dhe separatistëve të mbështetur prej saj.