Dy persona janë arrestuar në Turqi në lidhje me vrasjen e një polici kufitar bullgar, njoftoi drejtori i Shërbimit Kombëtar Hetues i Bullgarisë, Borislav Sarafov.
Polici ishte qëlluar për vdekje gjatë patrullimit pranë kufirit të Bullgarisë me Turqinë.
Sarafov tha se sipas informacioneve të para, personat e arrestuar nuk janë shtetas të Turqisë. Ai tha se njëri ishte dorasi dhe personi i dytë kishte ndihmuar në këtë incident.
Autoritetet bullgare e kanë përshkruar rastin si të paprecedentë dhe njoftuan se do të marrin “masa të ashpra” për të luftuar migrimin ilegal.
Sekretari i Ministrisë së Jashtme të Bullgarisë, Petar Todorov, tha se polici i vrarë ishte rreshteri i Policisë Kufitare, Petar Bachvarov.
Bullgaria tha se vrasja e policit ka ndodhur më 7 nëntor, teksa është rritur fluksi i personave që po mundohen të hyjnë ilegalisht në shtetet e Bashkimit Evropian.
Ky nuk është incidenti i parë që ka rezultuar me vrasjen e zyrtarëve kufitarë. Në gusht të këtij viti, dy policë bullgarë u vranë gjatë një aksidenti në Burgas, teksa po ndiqnin një autobus me migrantë ilegalë.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme bullgare, që nga fillimi i vitit deri në shtator janë ndaluar 12.740 migrantë ilegalë, që kishin tentuar të hynin ilegalisht në Bullgari. Kjo shifër paraqet rritje për mbi dyfish krahasuar me numrin e migrantëve të ndaluar vitin e kaluar.