Duke filluar nga 1 Janari 2021, Ushtria Turke do të marrë Komandën e Forcës së Gatishmërisë së Lartë të Aleancës. Menjëherë ky shtet do të vendosë mijëra ushtarë në gatishmëri. Turqia e merr përsipër drejtimin e kësaj force nga Polonia thuhet në njoftimin e NATO-s.
Në këtë komandë, e cila është pjesë e Forcës së Reagimit të NATO-s, do të shërbejnë afërsisht 4 200 trupa nën Komandën e Brigadës së 66-të të Mekanizuar të Këmbësorisë së Turqisë dhe gjithsej 6 400 ushtarë, përfshirë njësi nga Shqipëria, Hungaria, Italia, Letonia, Mali i Zi, Polonia, Rumania, Sllovakia, Spanja, BM dhe SHBA.
NATO ka vlerësuar “investimet thelbësore” të Turqisë për njësinë e Aleancës, “veçanërisht në planifikimin e kërkesave logjistike dhe municionit”. Sipas NATO-s modelet më të fundit të automjeteve turke të armatosura dhe raketave antitank janë caktuar për drejtimin turk të kësaj komande.
Kjo komandë gatishmërie u themelua në vitin 2014 në një samit të NATO-s në Britani, në përgjigje të ndryshimit të mjedisit të sigurisë, të tilla si aktivitetet destabilizuese të Rusisë në Ukrainë dhe trazirat në Lindjen e Mesme./tvklan.al