Turqia reagoi të dielën kundër sulmeve të Armenisë ndaj qytetit Ganja të Azerbajxhanit.
Ministria e Punëve të Jashtme publikoi një komunikatë me shkrim lidhur me sulmet armene në Ganja duke vënë në shënjestër civilët.
Në komunikatën e MPJ turke theksohet se sulmet e sotme të Armenisë ndaj popullatës civile në Ganja janë një manifestim i ri i qëndrimit kundërligjor të këtij shteti.
“E përballur me humbje në territoret azerbajxhanase që ka pushtuar, Armenia po shkel të gjitha parimet e së drejtës humanitare dhe sidomos Konventat e Gjenevës duke sulmuar vendbanimet civile, përtej rajoneve që kanë qenë skenë luftimesh për shkak të pushtimit. Këto sulme tregojnë se Armenia ka rënë në dëshpërim, por edhe se ajo nuk do të ngurojë të bëjë krime kundër njerëzimit që të vazhdojë pushtimin e saj të paligjshëm. Siç kemi thënë që nga fillimi, Armenia është pengesa më e madhe për paqen dhe stabilitetin në rajon”, thuhet në këtë deklaratë të MPJ turke, e cila dënon fuqishëm agresionin armen.
Më tej, komunikata nënvizon edhe një tjetër herë mbështetjen e pakushtëzuar të Turqisë për Azerbajxhanin.
“Ne mbështesim këtë qëndrim të Azerbajxhanit, i cili deklaron se nuk do të bëhet pre e provokimeve të Armenisë, se po ushtron të drejtën e vetëmbrojtjes brenda kufijve të tij të njohur ndërkombëtarisht si diçka që buron nga e drejta ndërkombëtare dhe se po bën të gjitha përpjekjet e mundshme për të parandaluar dëmtimin e popullatës civile”, potencon MPJ turke në fund të komunikatës së saj për sulmet armene ndaj civilëve në qytetin Ganja të Azerbajxhanit.