Presidenti i Këshillit Evropian Donald Tusk do ta vizitojë sot Serbinë me ç`rast do të takohet me kryeministrin serb, Aleksandar Vuçiq, bëhet e ditur në faqen e internetit të KE-së.
Po ashtu bëhet e ditur se Tusk dhe Vuçiq do të takohen në orën 19:00 të mbrëmjes.
Tusk këto ditë po viziton vendet e Ballkanit përmes të cilit refugjatë nga Siria, Iraku dhe vende të tjera po vijnë në Evropën Perëndimore.
Beogradi fillimisht nuk ishte në agjendën e vizitave të kreut të KE-së, përcjellë Klan Kosova.
Zyrtari i lartë evropian ndodhet aktualisht në Greqi, ndërkaq, paraprakisht vizitoi Vjenën, Lubjanën, Zagrebin dhe Shkupin, ndërkohë pritet ta vizitojë edhe Turqinë.Këto vizita vijnë pak para samitit të BE-së dhe Turqisë që mbahet më 7 mars në Bruksel.
Në një deklaratë të mëparshme nga zyra e tij u tha se Tusk gjatë këtyre vizitave do të vazhdojë të punojë në arritjen e konsensusit evropian për qasjen ndaj krizës emigrantëve dhe përgatitjet për samitin BE-Turqi, përcjellë Klan Kosova.