Kongresistja amerikane, Ilhan Omar, është pritur ngrohtë nga shumë qytetarë në Minnesota, vetëm disa ditë pas sulmeve raciste të presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i cili i kishte kërkuar asaj që të kthehet në vendin nga ka ardhur.
Në kohën kur presidenti amerikan i përsëriti kritikat ndaj Omarit të premten, kongresistja e re mori shumë përkrahje në vendin e saj, ku u përshëndet nga shumë mbështetës që kishin dalë për ta pritur në aeroportin “Saint Paul”.
Në një tubim që Trumpi e mbajti të mërkurën me qytetarë, sërish u dëgjuan thirrjet “dërgojeni në shtëpi”, duke iu referuar kongresistes Omar. Pavarësisht që tha se nuk ishte i lumtur me atë që ndodhi, presidenti amerikan i mbrojti pjesëmarrësit që brohoritën në atë mënyrë.
“Këta janë njerëz të mrekullueshëm. Këta janë patriotë të jashtëzakonshëm”, tha Trump para gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë.
Ai shtoi: “A e dini me çka jam i pakënaqur? Me faktin që një kongresiste mund ta urrejë vendin tonë. Nga kjo jam i pakënaqur”, shkruan “The Guardian”.