Ukraina akuzon Rusinë për bllokadë detare

Ukraina akuzoi Rusinë se po përpiqet t’i bëjë bllokadë në det ndërsa ushtria ruse përgatitet për stërvitjet detare javën e ardhshme. Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba tha se Deti Azov është plotësisht i bllokuar dhe Deti i Zi është pothuajse plotësisht i ndërprerë.

Kjo vjen pasi Rusia dhe Bjellorusia filluan 10 ditë stërvitje të përbashkëta ushtarake pranë kufirit Bjellorusi-Ukrainë.Bjellorusia është një aleat i ngushtë i Rusisë dhe ka një kufi të gjatë me Ukrainën.

Stërvitjet detare të Rusisë do të zhvillohen javën e ardhshme në dy detet në jug të Ukrainës, Detin e Zi dhe në Detin Azov. Rusia ka lëshuar paralajmërime duke njoftuar për manovra me lëshime raketash dhe të shtënash me armë zjarri.

Ministria e Jashtme e Ukrainës tha se “zona e gjerë ku do të kryhen manovrat e bën lundrimin në të dy detet praktikisht të pamundur” ndërsa ministri i Mbrojtjes Oleksiy Reznikov shkroi në Tëitter se ujërat ndërkombëtare të dy deteve ishin bllokuar nga Rusia.

Tensionet mbeten të larta midis Rusisë dhe Ukrainës në rajonet e Detit të Zi dhe Detit Azov që kur Rusia aneksoi Krimenë në vitin 2014. Në vitin 2018, Rusia sekuestroi tre anije detare ukrainase.Stërvitjet detare në krahun jugor të Ukrainës u shtohen manovrave 10 ditore ushtarake që po zhvillohen aktualisht në Bjellorusi, në veri të Ukrainës.

Rusia gjithashtu ka grumbulluar tanke, artileri dhe dhjetëra mijëra trupa pranë kufirit të saj me Ukrainën, por mohon planifikimin e një sulmi për të pushtuar. SHBA dhe vende të tjera perëndimore kanë paralajmëruar se një sulm mund të ndodhë në çdo kohë.

Ukraina nga ana tjetër filloi stërvitjet ushtarake të paralajmëruara më parë, në përgjigje të stërvitjeve ruse në Bjellorusinë fqinje, të cilat Kievi dhe Perëndimi i kanë interpretuar si pjesë e planit të përshkallëzimit të konfliktit ushtarak nga Rusia në rajon.

Ministri i mbrojtjes i Ukrainës, Oleksi Reznikov, tha se manovrat do të zgjasin gjithashtu 10 ditë. Ukraina nuk ka raportuar numrin e personelit ushtarak dhe armëve të përfshira në stërvitjet e saj.

Për stërvitjet e fundit të Rusisë dhe Bjellorusisë reagoi edhe Shtëpia e Bardhë të mërkurën duke thënë se ato rrisnin tensionin.

Leave a Reply