Ukraina nuk tërhiqet dërgon përforcime në lindje

Thirrja e dëshpëruar e një ushtari ukrainas nga qyteti i Bakhmutit që po rrethohet me shpejtësi forcat ruse. “Qyteti është në flakë. Armiku vazhdon. Ukraina do të jetojë. Putini është një kriminel”, tha ushtari.

Forcat ruse vazhduan të martën përpjekjet e tyre disa javore për të rrethuar dhe pushtuar qytetin lindor të Ukrainës, Bakhmut. Komandanti i forcave tokësore të Ukrainës e përshkroi situatën si “jashtëzakonisht të tensionuar”.

Pavarësisht luftimeve, në qytetet ende shihen banorë duke ecur në rrugë përmes ndërtesave të shkatërruara, ndërsa në sfond gjëmojnë shpërthimet. Ndonëse i frikësuar, kur e pyetën pse nuk po largohet, një vendas përgjigjet: “Derisa shtëpia ime të jetë e paprekur, derisa të mos lëndohem, do të qëndroj këtu”, tha ai.

Një ushtar i një njësie ukrainase që ishte rrugës për në Bakhmut, tha se Ukraina do ta mbajë Bakhmutin për aq kohë sa të jetë e mundur. “Ne nuk do të heqim dorë nga Bakhmut-i. Ne do ta mbajmë atë deri në fund. Lavdi Ukrainës,” tha 25-vjeçari.

Rreth Bakhmutit, trupat ruse, duke përfshirë mercenarët Wagner, po përpiqen të ndërpresin linjat e furnizimit të mbrojtësve ukrainas dhe t’i detyrojnë ata të dorëzohen ose të tërhiqen. Korrespodentët në front raportojnë se përforcimet po afrojnë pavarësisht bombardimeve të vazhdueshme ruse.

Në Moskë, presidenti Valdimir Putin u tha zyrtarëve të FSB, organizatës pasardhëse të KGB-së sovjetike, se duhet të ndalojnë “grupet sabotuese” që hyjnë në Rusi nga Ukraina dhe të parandalojnë çdo përpjekje perëndimore për të ringjallur ato që ai i quajti celula terroriste.

“Shërbimet perëndimore të zbulimit kanë punuar tradicionalisht në mënyrë aktive në Rusi dhe tani ata kanë hedhur personel shtesë, burime teknike dhe të tjera kundër nesh. Ne duhet të përgjigjemi në përputhje me rrethanat.”

Ai foli pasi një guvernator rajonal rus tha se një dron u rrëzua pranë një stacioni të shpërndarjes së gazit natyror, ngjarje që rusët e klasifikuan si sulm të dështuar ukrainas.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg përsëriti se Ukraina një ditë do të bëhet anëtare e aleancës, por tha se kjo do të ndodhë në një “perspektivë afatgjatë”. Kievi kërkoi anëtarësim të shpejtë në NATO shtatorin e kaluar.

“Aleatët e NATO-s kanë rënë dakord që Ukraina do të bëhet anëtare e aleancës sonë, por tani duhet të sigurohemi që Ukraina të mbizotërojë si një komb sovran dhe i pavarur”.

Kryeprokurori i Gjykatës Penale Ndërkombëtare ndodhet në Ukrainë për të hetuar sulmet ruse me raketa dhe drone ndaj infrastrukturës energjetike, sulem që vranë qindra civilë dhe lanë miliona vetë pa energji elektrike dhe ujë.

Konventat e Gjenevës thonë se palët e përfshira në një konflikt ushtarak duhet të bëjnë dallimin midis “objekteve civile dhe objektivave ushtarake” dhe se sulmet ndaj objekteve civile janë të ndaluara.

Leave a Reply