Raportet nga Ukraina thonë se hetuesit antikorrupsion e kanë arrestuar djalin e ministrit të Brendshëm të këtij vendi, Arsen Avakov.
Burimet në Zyren Kombëtare Antikorrupison (NABU) kanë thënë se personi, Oleksandr Avakov, është arrestuar sot, pas bastisjes në shtëpinë e tij, në qytetin Harkov, në pjesën lindore të Ukrainës.
Ministri Avakov ka konfirmuar për faqen në Internet, Ukrayinska Pravda, se detektivët kishin “ardhur te djali im për të kryer bastistje”.
NABU ka thënë se i ka arrestuar tre individë, përfshirë ish-zëvendës ministrin e Brendshëm dhe një biznesmen, lidhur me një rast të keqpërdorimit. U tha se hetimet ndërlidhen me përvetësimin e dyshuar të afro 520 mijë dollarëve të buxhetit të shtetit, që i ishin ndarë ministrisë së Brendshme për blerje të pajisjeve në periudhën 2014-2015.
Ministria e Brendshme e Ukrainës tha se aksionet e NABU-s janë “të bazuara në politikë e jo në ligj”./REL