Sekretari i Përgjithshëm i Nato-s, Jens Stoltenberg filloi një vizitë dy-ditore në Turqi dhe Greqi të hënën. Gjatë ndalesës në Ankara, Stoltenberg do të ketë diskutime me Presidentin Rexhep Taip Erdogan dhe zyrtarë të lartë të qeverisë në lidhje me situatën e sigurisë në rajon, mbështetjen e NATO-s për Turqinë dhe krijimin e një mekanizmi ushtarak për ç’tensionimin e situatës me Greqinë.
Pas një takimi me Ministrin e Jashtëm turk Mevlut Çavusoglu, numri një i aleancës vlerësoi kontributet e Turqisë në misionet e saj, duke përfshirë ato në Afganistan, Irak dhe Kosovë. Stoltenberg theksoi gjithashtu angazhimin e fortë të NATO-s për sigurinë e Turqisë duke shtuar mbrojtjen e saj ajrore kundër sulmeve raketore nga Siria dhe duke rritur praninë ajrore dhe detare të Aleancës.
Sekretari i Përgjithshëm mirëpriti po ashtu krijimin e një mekanizmi ushtarak për zvogëlimin e rrezikut nga incidentet e përplasjet në Mesdheun lindor. Kjo përfshin një angazhim për të përdorur një linjë telefonike të sigurt që është vendosur midis Greqisë dhe Turqisë. Stoltenberg tha se “Mekanizmi u arrit përmes angazhimit konstruktiv të Turqisë dhe Greqisë në Selinë e NATO-s. Unë e mirëpres këtë dhe i përshëndes të dyja palët për përpjekjet e tyre, të cilat jemi të gatshme t`i zhvillojmë më tej.
”Gjatë bisedës me Cavusoglu u prekën dhe çështjet e gjendjes në Libi e Siri, luftimet në dhe përreth Nagorni-Karabakut, dhe blerja e sistemeve S-400 nga Turqia. Stoltenberg pritet të takohet me Erdogan përpara se të udhëtojë më vonë gjatë ditës në Athinë për bisedime me Kyriakos Mitsotakis.