“Mediat sociale u kanë dhënë të drejtën e fjalës budallenjve”. Janë fjalët e Umberto Eco që sulmon në këtë mënyrë internetin në ceremoninë e dhënies së diplomës së tij honoris causa në Universitetin e Torinos për merita në çështje të komunikimit, kulturës dhe medias.
“Më përpara ata flisnin vetëm në bare pas një gote me verë, pa e dëmtuar komunitetin. Ua mbyllnin menjëherë gojën, ndërsa tani kanë të njëjtën të drejtë fjale me një fitues të çmimit Nobel. Është pushtim nga budallenjtë”.
Për Eco, interneti është një dramë e vërtetë sepse promovon “budallain e fshatit si mbajtës të së vërtetës”. Struktura e internetit sipas Eco favorizon përhapjen e atyre që propagandojnë budallallëqe. Në këtë pikë sipas tij, roli i gazetave është shumë i rëndësishëm sepse “duhet të filtrojë me ekipe specialistësh informacionet që vijnë nga interneti sepse askush nga ne nuk është i aftë të kuptojë sot nëse një informacion është i besueshëm apo jo”. Për të bërë këtë sipas tij “gazetat duhet tu dedikojnë të paktën 2 faqe analizave dhe kritikave mbi faqet online, njëlloj si mësuesve u duhet tu mësojnë nxënesve si të përdorin të dhënat për të ndërtuar një çështje”.
Para studentëve ai tha se ishte hera e dytë që vinte në këtë universitet, pasi në vitin 1954 ishte laureuar në filozofi. “Do të doja të isha laureuar në fizikën bërthamore ose në matematikë” – tha me shaka Umberto Eco.