Akademia e shkencave, përballje me sfida të vështira që nga themelimi

Për 42 vite me rradhë Akademia e Shkencave u ka shërbyer studiuesve për realizimin e disa botimeve. Megjithatë drejtuesit e saj i kanë kërkuar qeverisë që të privatizojë godinën, e cila aktualisht eshte prone private. Sigurisht duke shpërblyer pronarët aktualë. Për Sekretarin e Akademisë së Shkencave çdo vendim që qeveria merr në lidhje me Akademinë e Shkencave duhet më parë të konsultohet me akademikët.

Nga: Deniza Ruzi

Akademia e Shkencave në Shqipëri është themeluar më 1972 dhe konsiderohet se institucioni më i rëndësishëm shkencor në Republikën e Shqipërisë.

Fillimisht kishte 17 anëtare dhe 5 anetarë korespodentë. Themelimit të Akademisë i paraprijnë katër faza: faza e Akademisë së Voskopojës, e Rilindjes, e mes dy luftërave dhe faza pas çlirimit deri te formimi i plotë i Akademisë së mirëfilltë.

Sot Akademia e Shkencave ka 42 anëtarë të rregullt të ndarë në anëtarë të përhershëm, të asociuar dhe “anëtarë nderi”, të gjallë e të ikur nga jeta.

Akademia e Shkencave ka dy seksione: Seksionin e Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike dhe Seksionin e Shkencave Natyrore dhe Teknike.

Në strukturën e saj përfshihen gjithashtu, Njësia e Projekteve të Kërkim – Zhvillimit Teknologjik e Inovacioneve, Dega e Marrëdhënieve me Jashtë dhe me Publikun, Biblioteka Shkencore dhe Botimet.

Kjo godinë mbart nje histori 150 vjeçare dhe në këto vite është përdorur për funksione publike që nga themelimi i shtetit ne vitin 1912.

Në vitet 1920 -1921 në këtë godinë është vendosur parlamenti.

Në vitin 1926 Akademia e Shkencave sot ka shërbyer si zyra dhe seli e Ahmet Zogut, Kryeminister.

Me shpalljen e Shqipërisë mbretëri për 11 vite me rradhë 1928-1939 ka shërbyer si pallat mbretëror.

Ndërsa gjatë kohës së luftës kjo godinë 150 vjeçare u perdor nga regjimi fashist per funksione te ndryshme.

Deri në vitin 1940 në fushën e burimeve arkivore gjithçka ishte dokumentim i periudhës së Mesjetës.

Për këtë periudhë historike ishin të pasura arkivat e huaja, si ato të Vatikanit, Napolit, Stambollit, Raguzës, Vjenës etj.Për këtë problem Kuvendi mori përsipër detyrën e mbledhjes së dokumenteve, si dhe botimin e një bibliografie.

Drejtimi kryesor i punës së Institutit që në fillim ishte ai i botimeve e ribotimeve të veprave dhe kryeveprave të Rilindasve tanë si dhe intelektualëve më të shquar të botës shqiptare.

Instituti në vitin 1942 botoi vëllimin “Opera Omnia”, ku përfshiheshin veprat poetike e prozaike, ligjërata dhe polemika të Naim Frashërit dhe At Gjergj Fishtës.

Më 1944 Instituti botoi fjalorët e Buzukut, Budit, Bardhit si dhe veprat e Imzot Pal Skiroit.

Në një letër drejtuar Institutit, krahas përgëzimeve për punën e tij, Asdreni shprehte dëshirën që të gjitha veprat e tij, disa prej tyre dorëshkrime dhe të panjohura, të botoheshin nga ky Institut, duke pasur parasysh nivelin e lartë intelektual të këtij Instituti.

Akademia e Shkencave u krijua në tetor 1972, si një institucion që do të kishte në varësi 13 institucione kërkimore, që deri në atë kohë kishin qenë pjesë e Universitetit të Tiranës.

Kryetari i parë i saj ka qenë prof. Aleks Buda, kurse anëtarë shkencëtarë të shquar si Eqrem Çabej, Mahir Domi, Petrit Radovicka, Kolë Popa, Androkli Kostallari etj.

Akademia dhe Institutet e saj dhanë një ndihmesë të çmuar në zhvillimin e kërkimit shkencor, sidomos në fushën e albanologjisë lidhur me njohjen e historisë, gjuhës e kulturës së popullit shqiptar, të natyrës e të pasurive natyrore të vendit.

Detyrat kryesore të Akademisë së Shkencave janë:

1. Të bashkëpunojë me institucione kërkimore dhe mësimore brenda e jashtë vendit, të cilat kanë kapacitete të nevojshme fizike për kërkim;

2. Të propozojë fusha të reja kërkimore e studimore, në përputhje me nevojat e zhvillimit të vendit;

3. T’u ofrojë institucioneve të larta shtetërore këshillimin dhe ekspertizën e nevojshme në zgjidhjen e çështjeve të rëndësishme për zhvillimin e vendit;

4. Të organizojë kongrese dhe konferenca shkencore e problemore në shkallë kombëtare e ndërkombëtare;

5. Të krijojë komisione ad-hoc për prioritete të kërkimit dhe të zhvillimit; të organizojë konkurse dhe dhënie çmimesh shkencore etj.

Që nga shtatori i vitit 2013 në krye të Akademisë së Shkencave është vendosur Muzafer Korkuti.

Akademia e Shkencave përballet sot me një sërë problemesh, një ndër to është mungesa e ambjenteve pasi kjo godinë është pronë private dhe drejtuesit e saj i kanë bërë kërkesë Këshillit të Ministrave që ta kthejë në pronë shtetërore duke kompesuar pronarët e saj.

Një shqetësim të tillë, drejtuesit e Akademisë së Shkencave e kanë çuar për shqyrtim edhe në Komisionin e Medias në Kuvendin e Shqipërisë.

Si institucion në varësi të Këshillit të Ministrave, këtë vit fondi i Akademisë së Shkencave është shtuar me 10% më shumë se një vit më parë.

Shtimi i buxhetit do të thotë më shumë kërkime shkencore, të cilat favorizohen edhe nga ligji i ri i arsimit të lartë.

Në vitin 2007 Akademia e Shkencave iu nënshtrua një reforme e cila ia hoqi institutet nga varësia.

Por sipas Vaso Toles përvoja e këtyre viteve tregoi se kjo gjë nuk ka funksionuar, pasi sipas tij decentralizimi nuk i përshtatet shkencës.

Nisur nga ky dështim i reformës së ndërmarrë vite më parë, Sekretari Organizativ i Akademisë së Shkencave thekson se është mjaft e nevojshme gjetja e rrugëve të komunikimit mes shkencës dhe politikës, pasi sipas tij vendimarrjet politike të viteve të fundit nuk kanë qënë të konsultuara.

Megjithatë edhe pse kanë hasur në mjaft vështirësi, sërish puna për botimin dhe punët shkencore ka vijuar në Akademinë e Shkencave.

Kështu gjatë vitit 2015 janë realizuar 18 botime, ndryshe nga viti 2014 ku janë realizuar 15 botime.

Kërkimi shkencor është një nga kriteret e vendosura nga Bashkimi Europian në rrugën e integrimit të Shqipërisë.

Ndaj dhe drejtuesit e Akademisë së Shkencave bëjnë apel për më shumë vëmendje./oranews.tv

Leave a Reply