Bisedë e fundvitit me h. Afrim ef. Tahirin, udhëheqës i Lëvizjes Myslimane për Reforma në BFI të RM-së

Unë “ëndërra e trishtueshme” e uzurpatorit të BFI në RM

 

Në prag të ndërrimit të motmoteve sikur është bërë traditë që të zhvillohet bisedë me personalitetet e vitit që kanë arritur sukses në veprimtarinë e vet. Redaksia e portalit, www.1kliklarg.com vendosi që në këtë fundvit të zhvillojë bisedë pikërisht me njërin nga personalitetet më aktivë ndër shqiptarët e Maqedonisë, h. Afrim ef. Tahirin, i cili ia arriti që ta detronizojë kastën e korrupsionit dhe të manipulimeve që zhvillohen në emër të jetës fetare islame në këtë shtet. Nga shumë faktorë po shikohet si model se si luftohet kjo dukuri e shtresuar ndër vite në shumë bashkësi fetare në rajon dhe më gjërë

 

1klilarg: Çka e karakterizoi shoqërinë tuaj viti 2018?

Afrim ef. Tahiri: Ky vit do të kujtohet si vit i përpjekjeve për ta goditur krimin dhe korrupsionin me qëllim që organet përkatëse shtetërore të shkarkohen nga akuzat si të përfshira dhe bashkëvepruese me krimin dhe korrupsionin. Natyrisht, këta organe janë në test-provë, para se të ngritet edhe këtu institucioni i vetingut! Zhvillimet e proceseve gjyqësore për një numër funksionarësh të kaluar, paraburgosja e tyre si dhe përpjekjet gjithnjë e më të theksuara për një reformë të thellë në gjyqësi, flasin se orët e dejtësisë po trokasin në shoqërinë e Maqedonisë. Nuk mundet që, paralelisht, të angazhohemi edhe për vlerat perëndimore civilizuese edhe të bashkëjetojmë me krimin dhe korrupsionin! Këto ditë, ambasadori amerikan në Shkup, shkëlqesia e tij, Xhes Bejli, përmes një letre drejtuar organeve të gjyqësisë, reagoi ashpër duke kërkuar që të demantohet çdo shpekulim se amerikanët po ndikuakan në rezultate dhe vendime gjyqësore në Maqedoni. Amerika, në fakt, është e njohur në botë si luftëtare e pakompromis në lirinë absolute të veprimit të gjyqësorit që gjithnjë duhet të sjellin vendime mbështetur në fakte dhe argumente të pamohueshme! Veç kësaj, tërthorazi ju kërkohet gjykatësve që mos të shpekulojnë në stilin “është mik me amerikanët, nuk guxojmë ta dënojmë”, “amerikanët na kanë thënë që ta heshtim procesin gjyqësor për akcilin person”, “nuk po na lënë amerikanët që ta nisim procesin”, “mos e pekni se është i amerikanëve” etj. Thënë shkurt, kjo letër duhet kuptuar si vërejtje e fundit si dhe si apel publik drejtuar organeve të drejtësisë që të veprojnë, ta godasin krimin dhe korrupsionin si te qytetari më i thjeshtë ashtu edhe te kryeministrat, apo te krerët shtetërorë. Nga ana tjetër, kjo letër duhet nënkuptuar edhe si inkurajim amerikan për ata subjekte që janë këmbëngulës që në Maqedoni të ngadhnjejë vetëm drejtësia mbi çdo dukuri kudo e shkaktuar dhe nga kushdo e shkaktuar.

 

1kliklarg: Na lejoni të bëjmë këtu një digresion! Ju tashmë jeni i njohur si luftëtar i paepur në luftimin e krimit dhe të korrupsionit që, sipas jush, po mbisundon aktualisht në Baskësinë Fetare Islame në RM. Me veprimtarinë tuaj në këtë drejtim, keni arritur të sensibilizoni shtresa të gjëra në vend, por edhe faktorë të rëndësishëm. Në bazë të shqetësimeve të ngritura nga ju, kreu aktual i BFI-së është bërë temë diskutimi edhe në Parlamentin e Maqedonisë, të bëhet personazh në pyetjet e shtruara të deputetëve!  Deputeti Muhamet Zeqiri publikisht u shtroi pyetje organeve gjeqëse rreth (mos)angazhimit të tyre në parandalimin e krimit dhe të korrupsionit që po zhvillohet në BFI!

Afrim ef. Tahri: Po! Deputeti Zeqiri, si pjesëtarë i fesë islame, ngre shqetësimin nga ajo që dëgjon dhe që sheh! Si gazetar investigativ qysh edhe më herët ka informuar opinionin e gjërë me veprimtaritë e pahijshme të okupatorit të BFI-së, Sulejman Rexhepit. Zotri Muhamed Zeqiri e di fare mirë, për dallim prej disa subjekteve të tjera se, myslimanët e vendit, qytetarët shqiptarë të Maqedonisë, nuk mbrohen duke e mbrojtur dhe ruajtur Sulejman Rexhepin nga proceset e ndryshme të drejtësisë, për faktin se po e siguruaka një “grusht votash”. Fundja, edhe këto vota duhet të llogariten si “vota korruptive”, sepse, ta këmbeshë votën me ndikimin në organet e drejtësisë që të mbahen nëpër sirtar të gjitha paditë kundër Sulejman Rexhepit, konsideroj se nuk ka korrupsion më të trishtueshëm! Me sa di unë, edhe sot e kësaj dite askush nuk i është përgjigjur deputetit Zeqiri rreth pyetjeve të tij, dhe as nuk është ndërmarrur asgjë nga organet kompetente rreth verifikimit të “shpekulimeve”, nëse janë të vërteta apo gënjeshtra! Proceset gjyqesore janë për këtë gjë: ose të ngadhnjejë e vërteta ose të dalë në shesh gënjeshtra! Kam përshtypjen se, për momentin, akoma kanë ndikim nëpër organet shtetërore recidivat e klanit të Gruevskit dhe, pa dyshim, për hirë të bekimit të Sulejman Rexhepit që ia bëri Nikolla Gruevskit, këta recidiva janë akoma të fuqishëm dhe, bekuesin e tyre po e mbajnë disi “nën mbrojtje”! Megjithatë, tashmë , me ikjen e Gruevskit, recidivat e klanit të tij po ndjehen gjithnjë e më të pafuqishëm, kështu që, ngadhnjimi i drejtësisë nuk mund të ngelë peng në duart e askujt. Në Maqedoni tash e katër vite myslimanët tanë janë lodhur me tërë ato informacione e afera që janë bërë publike lidhur me Sulejman Rexhepin! Organet e drejtësisë dhe të ndjekjes kanë obligim, mbi të gjitha, moral, qytetar e shtetëror që, këto afera e fakte, t’i verifikojnë dhe, ose t’i shpallin si shpekulime ose të sakta dhe të ndërmerren masat. Me këtë që po ndodhë aktualisht, druaj se subjekte të ndryshme janë duke punuar në drejtimin e trashjes së krimit dhe të korrupsionit ndër shqiptarët, myslimanët e vendit, me qëllim që një ditë të bëhemi “shenjë e pikados”!

 

1kliklarg: Në shkrimin e juaj të fundit ju, veç të tjerash, flisni për aktivitetet e juaja për gjatë vitit 2018 dhe, njëkohësisht kërcënoheni se, nëse vazhdon kështu edhe 2019 ju planifikoni që të zhvilloni protesta gjithëpopullore kundër udhëheqësisë aktuale të BFI-së? Në çka e mbështetni këtë që e thoni si dhe këtë që e paralajmëroni?

Afrim ef. Tahiri: Në shkrimin tim rekapitulues për aktivitetet e vitit që po e lëmë si dhe për planet që duhet të kryehen në vitin që po vjen, kam nënvizuar një sërë aktivitetesh që i kemi zhvilluar ne si Lëvizje e Myslimanëve për Reforma në BFI, si në planin e brendshëm ashtu edhe në atë të jashtëm! Përmes dokumenteve që i kemi, përmes fakteve dhe argumenteve, kemi arritur që të sensibilizojmë mbarë shoqërinë tonë me atë se çka po veprohet në BFI! Organet e saj, të uzurpuar e të shantazhuar, natyrisht që do të detyrohen që me llafe boshe herë pas herë të na “demantojnë”, por asnjëherë nuk pranojnë debate publike, dëgjesa të përbashkëta në xhemat, ballafaqim me faktet dhe me argumentet tona, sepse janë të vetëdishëm se do të skuqen nga turpi si dhe nga sikleti se në shërbim të kujt janë? Dhe ne, deri diku i kuptojmë, e dimë që veprimi i tyre është pak karrierist, pak i shantazhuar, pak i lakmuar, sepse, në kushte normale, pjesa dërmuese e tyre nuk do të ushtronin kurrfarë veprimtarie për merita të aftësive dhe afinititeve të tyre nën çdo nivel. Për të tillët, populli thotë “Zgjate Zot”! Ne i kuptojmë por nuk i falim!

Pa dyshim, meqë numri i të revoltuarve po rritet dita ditës, meqë sensibilizimi i opinionit është në rritje evidente, meqë tashmë e kanë kuptuar lojën djallëzore të këtij farë “kryetari” edhe faktori ndërkombëtar, por edhe diaspora jonë, ndërsa nga ana tjetër, “dora e nëndheshme” akoma po i mbanë në sirtar të “tavolinës së gjelbër” paditë që i kemi ngritur tash e tre vjetë më parë kundër Sulejman Rexhepit, do të na detyrojë që “të nënshtrohemi” para kërkesave që dalin nga të gjitha dëgjesat dhe takimet me qytetarë e me diasporën që, sa më parë të organizohen protesta gjithëpopulloe. Kemi mjaft paralajmërime se, protestave do t’i bashkangjiten edhe numër i madh i bashkëatdhetarëve tanë që do të vijnë enkas për këto protesta. Natyrisht, protestat gjithmonë njollosin edhe fytyrën e organeve të drejësisë! Për këtë le të mbajnë llogari të gjithë faktorët e vendit. Plani ynë është që në çdo qytet, në çdo vendbanim të ngrisim degë e nëndegë të Lëvizjes sonë dhe, tevona të shikojmë se si do të rrjedhin gjërat. Një grusht keqpërdoruesish, shpërdoruesish të firit e zeqatit, të kurbanit e haxhit, të vakëfit e të pronës së BFI-së, nuk mund ta gëzojnë përjetë “të drejtën” e tyrë për t’u tallur me myslimanët e vendit që janë mbajtës në jetë të këtij Institucioni të okupuar nga disa të babëzitur. Myslimanët e vendit tashmë e kanë të qartë se nuk do të pranojnë që të heshtin para shkatërruesve të jetës fetare islame në vend. Unë jam në kontakt permanent edhe me nëpunës dhe me drejtues të organeve të BFI-së dhe, tashmë të gjithë ndjehen të lodhur nga shantazhimi i Sulejman Rexhepit. Të gjithë janë të kapur në rrjetin e nepotizmit dhe, i druajnë që, hakmarrja e Sulejman Rexhepit do të përcillet jo vetëm me shkarkimin e tyre, por edhe me largimin nga puna të të gjithë pjesëtarëve të afërt e të largët të familjeve të tyre. Sulejman Rexhepi prej tyre kërkon që të ngelin besnik në armiqësi të përjetshme me armiqtë personal të Sulejman Rexhepit. Armiku im duhet të jetë edhe armiku yt, kështu mendon Sulejman Rexhepi! Po kë e ka mik Sulejman Rexhepi në këtë jetë? Të gjithë janë armiq të tij, prandaj automatikisht duhet të jenë edhe armiq të drejtuesve të organeve të BFI-së, të cilët duhet ta kenë në jetën e tyre vetëm një mik: Sulejman Rexhepin! Pretenciozitet jo normal. Kërkesë johumane e një “humanoidi”!

 

1kliklarg: Mendoni se e keni përkrahjen e ndërkombëtarëve në këtë nijet që keni?

Afrim ef. Tahiri: Ndërkombëtarët kurrë nuk do të pranonin që dikush t’i involvojë apo t’i përziej në çështjet e brendshme të bashkësive fetare. Për ne mjafton fakti që tashmë ata e kanë shumë të qartë se çka veprohet në BFI-në e uzurpuar, çka bëjnë njerëzit aty, si përndiqen “armiqtë e Sulejman Rexhepit, si “spiunohen”, si ndiqen me “policë privatë”, si fotografohen, si dëbohen nga puna se janë fotografuar duke pirë kafe me mua! Do me thënë, unë edhe më tej përceptohem si “ëndërr e trishtuar” e Sulejman Rexhepit, unë, “si armik i tij” duhet të ndiqem, të fotografohem, t’më thyhet makina dhe të më instalohen dëgjues, të më kërkohet nëpër Shqipëri “zyrja ime” ku unë i paskam të fshehur dokumentet e korrupcionit dhe të krimit të strukturave aktuale të BFI-së së uzurpuar! Meqë kam arritur të bëhem shënjestër që vëzhgohet në mënyrë permanente nga “syri i bosit të klanit të BFI-së”, mua më mjafton, sepse, më flet për një kompleks, për një frikë se, një ditë drejtësia do të ngadhnjejë mbi zullumin! Këtë fakt e dijnë ndërkombëtarë dhe veprojnë sipas metodave të tyre, sado jo të përshtatshme për ne, si Lëvizje! Në BFI gjatë këtyre katër viteve nuk janë futur 2-3 diplomatë, ata respektojnë Institucionin e BFI-së por jo edhe personin, i cili, vizitat eventuale të diplomatëve i përkthen si “respekt i tyre” që ia bëjnë njeriut që akuzohet dhe që ka procese gjyqësore! Kjo i iriton tej mase diplomatët, këtë edhe ma kanë thënë! Uzurpatori i BFI-së pothuajse nuk është më në asnjë forum të botës myslimane, nëpër të cilat ishte dikur, nuk përfshihet dhe nuk ndihmohet nga asnjë organizatë botërore myslimane! Janë të trishtuar me babëzinë e tij dhe të “bashkëpunëtorëve” që e rrethojnë.

 

1kliklarg: Deri kur kështu! Edhe sa do të zgjasë kjo lojë?

Afrim ef. Tahiri: Më falni, kjo nuk është lojë, ky është një aktivitet shumë i rëndësishëm për ta shpëtuar Institucionin nga kthetrat e uzurpatorit! Deri kur kështu?! Në botën e civilizuar, në shoqërinë që kalitet me kulturë dhe vetëdije demokratike, natyrisht që përveç pushtetit funksionon edhe opozita. Gjithandej vlejnë rregullat e njëjta: në pushtet deri sa nuk forcohet opozita, pastaj, ka ndërrim paqësor vendesh: pushtetari kalon në opozitë, opozita kalon në pushtet! Ka edhe “organizma” ku pushteti është i rregulluar si “i përjetshëm”, porse, jo të keqpërdoret, jo të zhvillohen turlifarë aktivitetesh kompremetuese në emër të asaj “përjetësie”! Në momentin kur abuzohet me “pushtetin e përjeshëm”, abuzuesit ikin, përfundojnë nëpër biruca dhe në vetëminë e turpit. Lëvizja Myslimane për Reforma në BFI e ndjenë se po afrohet fundi i “pushtetit të përjetshëm” dhe se po i vie koha e Platformës së saj për reforma gjithëpërfshirëse në BFI. Si pjesëtarë të islamit, nuk guxojmë që të dorëzohemi para të keqes, e kemi obligim të shenjtë që ta mbrojmë vakëfin, ta mbrojë paranë e fundit që jepet për të mirën e jetës fetare islame në vend, e kemi obligim që t’i ngrisim dhe t’i përforëcojmë kapacitetet që garantojnë jetë të mirëfilltë fetare, të sjellim kuadro që do të na bëjnë të ndjehemi krenar në çdo vend e në çdo log! Ne konsiderojmë se kjo rrugë është shumë e drejtë, se është në të mirë të jetës islame dhe për nder të myslimanëv të vendit, ndaj dhe, jemi të bindur se do ta kemi mbështetjen e Allahut Fuqiplotë deri në eliminim të çdo të keqe në BFI, deri në rikthimin e vlerave të cilat dikur BFI-në e bënin si Institucion mjaft të respektueshëm, të vizitueshëm dhe të sinqertë në të gjitha aktivitetet e brendshëm dhe të jashtëm.

 

1kliklarg: Ky angazhim mund të llogaritet si plan i vitit të ardhshëm?

Afrim Tahiri: Dëbimi i së keqes nga BFI-ja, rikthimi i së mirës që do të përcillet gjatë kohë me aktivitetet në sensibilizimin e opinionit të gjërë, për ta rikthyer besimin dhe përkrahjen si dikur, do të kërkojnë kohë të gjatë! Tashmë, fatkeqësisht, opinioni i gjërë është i irituar deri në zhgënjim nga elementi teologjik në vend! Punët aktuale nuk shikohen me sy të mirë, mbisundon një skepticizëm total se një ditë do të bëhet më mirë. Pra, besueshmëria është luhatur skajshëm dhe, rikthimi i këtij besimi kërkon një agazhim gjithëpërfshirës dhe të gjatë kohor. Kështu që, nuk e di se a do të na dalë vetëm një vit, vetëm viti 2019! Kam përshtypjen se do të na duhet një kohë më e gjatë. Le të shpresojmë se ky vit do të jetë vit në të cilin do të fillojë perpjekja për rikthimin e besimit si të myslimanëve të vendit ashtu edhe të faktorëve të botës myslimane. Zoti na ndihoftë në këtë përpjekje! Nëse jemi në gabim, Ai na udhëzoftë nga e drejta dhe e mbara! Zoti shëndet të gjithë bashkëpunëtorëve të mi, ndjekësve të Lëvizjes Myslimane për Reforma në BFI si dhe mbarë myslimanëve të vendit dhe më gjërë. Na priftë një vit i mbarë dhe i sukseseve. Amin!

1kliklarg: Amin!

Leave a Reply