Uniteti për Ukrainën, çka do të ndodhë nëse ndahet përfundimisht aleanca perëndimore?

Por kur bëhet fjalë për fazën tjetër të konfliktit, shtohet pyetja se sa mund të zgjasë ky unitet?

BBC ka treguar pesë rastet se kur mund të ndahet përfundimisht aleanca perëndimore – nga synimet e luftës deri tek mbështetja për zgjidhjen politike.

Synimet e luftës

Para luftës, demokracitë liberale dukeshin herë pas here të pasigurta rreth të sotmes dhe të ardhmes së tyre. Disa vunë në dyshim aleancat e tyre, ndërsa të tjerët iu nënshtruan ndjenjave nacionaliste. Por konflikti i ka kujtuar Perëndimit atë që përfaqëson – lirinë, sovranitetin dhe sundimin e ligjit. Kjo ka prodhuar një përgjigje të bashkuar ndaj agresionit të Rusisë, transmeton Telegrafi.

Por me gjithë diplomacinë e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres dhe të tjerëve, kjo luftë mund të vazhdojë edhe për ca kohë. A jemi në pikën më të lartë të konsensusit brenda aleancës perëndimore?

Ndoshta tensionet më të rëndësishme mund të vijnë rreth qëllimeve të luftës. Për momentin, Perëndimi është i bashkuar për mbrojtjen e Ukrainës. Ajo po i ofron mbështetje ekonomike dhe ushtarake.

Por cilat janë synimet afatgjata? Një ndërprerje e armiqësive, natyrisht. Por a duhet mposhtur Rusia? A duhet të fitojë Ukraina? Si do të dukeshin disfata dhe fitorja në aspektin praktik?

Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Boris Johnson u tha deputetëve javën e kaluar se “ne thjesht duhet të bëjmë gjithçka që mundemi kolektivisht për të siguruar që Vladimir Putin të dështojë, madje plotësisht”.

Por, Johnson nuk tregoi asgjë më shumë se kaq dhe hodhi poshtë idenë e ndryshimit të regjimit në Moskë. “Është shumë e rëndësishme… që ne të mos e bëjmë objektiv heqjen e liderit rus ose ndryshimin e politikës në Rusi”. “Kjo ka të bëjë me mbrojtjen e popullit të Ukrainës. Putini do të përpiqet ta trajtojë atë si një luftë midis tij dhe Perëndimit, por ne nuk mund ta pranojmë këtë”.

Megjithatë, kjo është gjithnjë e më shumë ajo që po bëjnë Shtetet e Bashkuara. Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin ka sugjeruar se nuk do të mjaftonte thjesht të mposhteshin forcat ruse. “Ne duam ta shohim Rusinë të dobësuar deri në atë masë, sa nuk do të mund të bëjnë asgjë”, tha ai.

Kjo mund të nënkuptojë vendosjen e sanksioneve ndaj sektorit të mbrojtjes së Rusisë. Ose mund të nënkuptojë t’i jepet Ukrainës mjetet për të shkatërruar një pjesë të konsiderueshme të forcave ushtarake ruse. Sido që të jetë, jo të gjithë aleatët perëndimorë mund të ndajnë ambicie të tilla, nga frika se Putini mund të shfrytëzojë retorikën për të pretenduar se Perëndimi me të vërtetë përbënte një kërcënim ekzistencial për Rusinë.

Mbështetje ushtarake për Ukrainën

Perëndimi është kryesisht i bashkuar në mbështetjen ushtarake të Ukrainës. Por ndryshon për sa i përket specifikave. Disa vende hezitojnë të ofrojnë armatim të rëndë, nga frika se mund të zgjasë gjakderdhjen. Të tjerë po shtojnë dërgesat e tyre të municionit dhe armëve më të fuqishme.

Tobias Ellwood, kryetar i Komitetit të Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar, dëshiron që britanikët të japin më shumë. “Ne po bëjmë mjaftueshëm për të parandaluar humbjen e Ukrainës, por jo aq sa për të siguruar që ajo të fitojë”, tha ai për BBC Radio 4. “Ne duhet të ndihmojmë Ukrainën të fitojë absolutisht në vend që të mbrojmë linjat aktuale”, shtoi ai.

Por të tjerët në Perëndim kanë frikë se shndërrimi i mbrojtjes së Ukrainës në një luftë të plotë me Rusinë mund ta shtyjë Putinin në përshkallëzimin e konfliktit, qoftë duke sulmuar objektiva të tjerë perëndimor, duke nisur sulme kibernetike apo edhe duke përdorur armë të shkatërrimit në masë.

Jo më kot ministri i jashtëm rus, Sergey Lavrov, paralajmëroi për rrezikun “serioz dhe real” të luftës bërthamore.

Mbështetje për zgjidhjen politike

Në një moment, mund të ketë një ngërç ushtarak dhe presioni mund të rritet për një zgjidhje politike. Perëndimi do të mbështesë çdo gjë që Ukraina zgjedh të bëjë. Por, çka nëse nuk është kështu?

Po sikur disa vende perëndimore të bëjnë presion ndaj Ukrainës për arritjen e paqes, por udhëheqja në Kiev dëshiron të vazhdojë të luftojë? A mund të fillojnë disa vende të kufizojnë mbështetjen e tyre ushtarake për Ukrainën? Ose si alternativë, çka nëse Ukraina bie dakord për një zgjidhje politike që Perëndimi do ta kundërshton, duke menduar se e shpërblen shumë Rusinë? A mund ta refuzojnë disa vende të heqin sanksionet ndaj Rusisë dhe potencialisht të prishin një marrëveshje paqeje?

Ekziston një debat kritik midis politikëbërësve perëndimorë rreth asaj se çfarë lloj zgjidhjeje politike mund të bihet dakord në Ukrainë. A do të jetë prioriteti rimarrja e kontrollit të territorit të pushtuar nga Rusia – apo sigurimi i sigurisë, integritetit dhe qëndrueshmërisë së ardhshme të asaj që ka mbetur nga Ukraina pas ndalimit të luftimeve?

Një zyrtar i lartë perëndimor e zbuloi këtë tension pothuajse në të njëjtën frymë. “Nuk mund të shihet se Putini ka rregulluar me sukses kufijtë sovran të Ukrainës me forcë”, tha ai, përpara se të shtonte, “Plani ynë afatgjatë për Ukrainën është që ajo të ketë sukses si një shtet sovran dhe i pavarur”.

Këto dy objektiva nuk janë domosdoshmërisht e njëjta gjë.

Në terma praktike, kjo do të thotë se do të ketë zgjedhje të vështira kur vjen puna për të rënë dakord rreth një zgjidhje politike. A duhet, për shembull, Perëndimi të detyrojë forcat ruse të tërhiqen plotësisht në kufijtë e para muajit shkurti të vitit 2022 apo t’i lënë në zonat që i kanë pushtuar?

Për Ben Wallacen, Sekretarin e Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar, asnjë opsion nuk do të mjaftonte.

“Nga ana ime, unë e dua Putini edhe më përtej kufijve të njohur ndërkombëtarisht para muajit shkurt”, u tha ai deputetëve. “Ai pushtoi Krimenë në mënyrë të paligjshme, ai pushtoi Donetskun ilegalisht dhe duhet të respektojë ligjin ndërkombëtar dhe duhet të largohet nga Ukraina”.

Kjo mund të mos jetë një pikëpamje e ndarë nga të tjerët në Perëndim.

Sanksionet e energjisë ndaj Rusisë

Fuqitë perëndimore mund të kundërshtojnë sanksionet. Tani për tani, ata nuk po mund të pajtohen se sa shumë duhet të ndëshkohet Rusia, veçanërisht nëse duhet të vendosen më shumë sanksione ndaj eksporteve të saj të naftës dhe gazit.

Vendet e varura nga energjia ruse thonë se ekonomitë e tyre nuk mund të mbijetonin pa të. Por nëse luftimet vazhdojnë për ca kohë, mund të ketë kundër presione, transmeton Telegrafi.

Disa vende mund të duan të rrisin sanksionet ndaj Moskës në përpjekje për t’i dhënë fund ngërçit.

Të tjerët mund të duan të reduktojnë sanksionet e energjisë pasi popullsia e tyre bëhet më pak tolerante ndaj kostos ekonomike.

E ardhmja e Ukrainës

Është po aq e mundur që Perëndimi të mos pajtohet për të ardhmen afatgjate të Ukrainës. Çfarë ndodh nëse ka ndarje brenda Ukrainës? Po sikur të shfaqen fraksione, të tilla si nacionalistët që duan të vazhdojnë të luftojnë dhe kompromistë që duan të bien dakord për një marrëveshje? A do të duhej që Perëndimi të mbajë anën?

Sa të hidhura mund të jenë ndarjet brenda Ukrainës? Disa analistë madje kanë spekuluar për mundësinë e një lufte civile, duke bërë krahasime me ndarjet brenda Irlandës në vitin 1922.

Ose po sikur Ukraina të fillonte të bënte zgjedhje politike që Perëndimi mund ta kundërshtonte?

Fiona Hill, ekspertja e çështjeve ruse dhe ish-zyrtare e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, ka sugjeruar se Ukraina mund të kërkojë të ketë armë bërthamore për të garantuar sigurinë e saj.

“Sa më shumë Putini vazhdon të vendosë armë bërthamore atje… është thjesht më shumë presion mbi vendet si Ukraina që të mendojnë se mënyra e vetme e vërtetë për mbrojtje është të bëhet fuqi bërthamore”, tha ajo në një seminar të titulluar, “Ndryshimi i Evropës”.

A do të ishte i gatshëm në rrethana të tilla Perëndimi t’i siguronte Ukrainës armë konvencionale? Apo të mendoni edhe për anëtarësimin e shpejt në Bashkimin Evropian?

Çështja është se pozicionet e politikave në konflikt janë rrallëherë statike dhe mund të jetë e gabuar të supozohet se uniteti perëndimor do të qëndrojë automatikisht përmes sfidave përpara. /Telegrafi/

Leave a Reply