Qeveria italiane jep dritën jeshile për projektin ambicioz
Ka më shumë se 5 dekada që qeveritë në Itali po përpiqen pa sukses të ndërtojnë një urë mbi ngushticën e Mesinës, që lidh Siçilinë me Kalabrinë në Italinë kontinentale.
Por kjo e Melonit, ringjall shpresat se ndërtimi do të nisë një herë e mirë. Ishte ministri i infrastrukturës Mateo Salvini, ai që njoftoi se ndërtimi më në fund do të nisë edhe pse sipas mediave, dekreti nuk është zyrtarizuar.
Projekti është shumë ambicioz. Parashikohet ndërtimi i urës së varur me kavo, më të gjatë në botë prej 3.2 kilometrash dhe parashikohet të kushtojë 7 miliardë Euro gjatë 5 viteve të ndërtimit.
Do të jetë me 3 korsi për çdo drejtim dhe do të ketë hekurudhë. Do të kalojnë 6 mijë automjete në orë dhe 200 trena në ditë.
Ndërtimi i saj i jep fund udhëtimeve të gjata me traget mes Siçilisë dhe Kalabrisë. Projekti ishte më pranë realizimit në 2004-ën gjatë qeverisjes së Berluskonit, por vështirësitë financiare me të cilat u përball Italia e lanë atë pezull.