Bashkësia Fetare Islame nuk është as Komision Shtetëror Zgjedhor e as Ministri e Punëve të Brendshme, sado që përbrenda vlon nga “nëpunësit” e këtij digasteri! Shaqir Fetai duke e parë që ka kapur një post i cili i duket mision absolutisht i pamundshëm për të, ka nisur që të futet në rolet e lidershipit politik, ndonëse deri më tani ka dëshmuar se nuk është i denjë as për rolin e çobanit
Nga Idriz Rushiti
Shaqir Fetai kohëve të fundit, sikur ka filluar ta ndjejë fuqishëm peshën e papërballueshme të Institucionit të BFI-së. Gjithnjë e më shumë e ka të qartë se ky Institucion për Shaqir Fetain është kafshatë gjigante dhe e pa kapërdieshme prej tij, ndaj dhe, mezi pret të shërfytyrohet në diçka që do ta mbajë sa më larg postit të cilin e grabiti si hajn i përallave.
Ndaj dhe, herë e merr rolin e kryetarit të Komisionit Republikan Zgjedhor, herë atë të Kryetarit të Shtetit, herë të Kryeministrit e herë të liderit të gjithë shqiptarëve! Me këtë sjellje, pa dyshim që, ky farë duduki hedh dyshime dhe hije edhe mbi aftësitë e këtij lidershipi për t’i kryer detyrat dhe, imponohet sikur ky të ishte “i dërguari i Zotit” për ta bërë fet këtë shtet e këtë shoqëri!
Asnjë personalitet i vendit dhe as nga ndërkombëtarët nuk doli me apel për zgjedhje të lira e të ndershme, sepse, tashmë kjo është më se e nënkuptueshme: zgjedhjet doemos duhet të jenë të ndershme e të lira, pa apeluar askush! Por, ja që Shaqir Fetai e di se në Maqedoninë e Veriut vidhet, vidhet edhe posti, postet kapen në mënyrë të pandershme, sepse, kështu ka bërë vetë ai, ndaj dhe, mendon se tërë bota janë hajna si Shaqir Fetai!
Zgjedhjet përfunduan dhe fituesit tashmë po dihen! Humbën ato parti për të cilat agjitonte Shaqir Fetai me bandën e vet, madje duke kërkuar që të keqpërdoren edhe hutbet për të propaganduar për kandidatët e LSDM-BDI-së, për të cilat shpenzoi para të majme nga buxheti i BFI-së i përbërë nga fitri dhe zeqati!
Nga fituesit e zgjedhjeve u përmend edhe emri i Shaqir Fetait si i pozicionuar për ta dëmtuar opozitën! Por, aq e ka sinqeritetin dhe besnikërinë Shaqir Fetai! Me të dalur rezultatet, me të kuptuar se si ky pushtet u dridh fort pas dorëheqjes së Kryeministrit aktual, sakaq nisi ta interpretojë rolin e “melaqes së Stançiçit”!
Shaqir Fetai del dhe i vetmi “lider” e uron popullin për këto zgjedhje kaq të ndershme e të qeta!
Një “letër” të tillë me plot “triumfalizëm” mund ta lëshonte për opinion vetëm ajo strukturë që do të caktohej që të zhvillonte zgjedhje të lira e të ndershme, si për shembull policia, apo ushtria. Një “optimizëm” të tillë do të mund ta përcillte edhe kryetari i Komisonit Republikan Zgjedhor! Me tone të kryetarit të shtetit Shaqir Fetai do të thotë: “Të nderuar besimtarë dhe qytetarë të vendit. Më lejoni që në emrin tim personal dhe në emër të Bashkësisë Fetare Islame t’ju uroj për procesin pozitiv, të qetë dhe të ndershëm zgjedhor, i cili edhe një herë dëshmoi se jemi një shoqëri me prirje drejt vlerave demokratike, ku respektohet vullneti i çdo qytetari, pa dallim të kombit, besimit, moshës, gjinisë apo ngjyrës.” Meqë qenkemi popull me vlera të larta demokratike, çka pati nevojë Shaqir Fetai për të apeluar për zgjedhje të lira e të ndershme?!
Ndërsa, fraza e fundit e këtij farë “urimi për zgjedhje të lira e të ndershme” dëshmon katërcipërisht se kemi të bëjmë me një person shizofren, abdall por me veti të natyrshme të një dhelpre me llapë përdhe e të lodhur nga jeta! Me këtë frazë, abdalli i jep BFI-së tone të një “shtabi zgjedhor”, të një “komisioni shtetëror zgjedhor”, të një “agjencie ndërkombëtare monitorimi” që, në momentet postzgjedhore gjithësesi që duhet të thonë diçka! Shaqir Fetai thotë: “Po ashtu, kandidatët që nuk arritën të zgjidhen, i falënderojmë për pjesëmarrjen e tyre në këto zgjedhje, për kontributin e dhënë në zhvillimin e vlerave demokratike. Urime dhe na priftë e mbara”!
Pas kësaj fraze çdo koment do të ishte i tepërt, çdo gjë që do të thuhej për këtë farë uzurpatori të dhunshëm të postit të reisit, do të ishte e kotë dhe do të dukej “tendencioze”. Sepse, katundi që shihet nuk do kallauz!
Shaqir Fetai veten e llogarit gjithçka që i përket politikës, vetëm teolog dhe “ulema” i teologëve jo! Sepse, realisht nuk është, madje edhe sikur të ishte, është i refuzueshëm unanimisht prej teologëve. Mëkatarët gjithnjë kanë fundin e trishtueshëm. Nisin si palaço e përfundojnë si limoni i shtrydhur e i hedhur në pleh! Frikën e limontë e ka Shaqir Fetai!