Tregu i vaksinave është shumë i vështirë, sipas kryeministrit Edi Rama. Për këtë arsye, shtoi ai, edhe vetë Gjermania ka kthyer sytë nga vaksinat ruse dhe kineze.
Shefi i qeverisë deklaroi në një bashkëbisedim me qytetarët në Lezhë se do të bëhet gjithçka për të siguruar vaksinat e nevojshme për Shqipërinë.
“Deri dje kënga ime thoshte cdo gjë bën vaki, jetojmë në Tironë. Tani po të ribëja këngën, do të thosha çdo gjë bën vaki, jetojmë në Evropë. Më rezulton që tani BE, Gjermania ka filluar të hapë dialogun me Kinën dhe Rusinë. Duket e pabesueshme që kontinenti më i fuqishëm i planetit të gjendet në këtë situatë. Shpërthimi i pandemisë i kapi gafil të gjithë. Kësht është edhe me vaksinën. Bota e zhvilluar ka thyer çdo rekord në shpikjen e vaksinës. Për ne ka rëndësi që ne të bëjmë atë që duhet për njerëzit. Ka shumë njerëz që mendojnë se mosmarrja e vaksinave kineze apo ruse për ne është çështje gjeopolitike. Vaksinat nuk janë në treg, vaksina nuk ka. Janë në sasi shumë të vogël, në raport me nevojat. Çmimet kanë shkuar në stratosferë, por nuk ëshjtë çështje çmimi”, tha Edi Rama.