Varianti britanik i virusit/ Në kurs për “të pushtuar” gjithë botën

Varianti i koronavirusit që është zbuluar në Kent, mund të bëhet dominues në të gjithë botën shumë shpejt.

Ky është parashikimi i shefes së programit të mbikëqyrjes gjenetike në Britaninë e Madhe, Sharon Peacock, që thotë për BBC se ky variant ka përfshirë tashmë gjithë vendin dhe do të përfshijë me të gjitha gjasat e botën.

Ajo tha se puna e saj në zbërthimin e sekuencave të varianteve të virusit mund të jetë e nevojshme për të paktën 10 vite. Varianti i Kentit është zbuluar deri më tani në më shumë se 50 shtete. Ai u pikas në shtator 2020, në Anglinë Juglindore, dhe përhapja e shpejtë e tij në muajt që pasuan është përmendur si arsye për vendosjen e rregullave të reja të izolimit në Britaninë e Madhe në janar.

Duke parë nga e ardhmja, ne do të përballemi me këtë situatë për vite. Ne do të vazhdojmë të bëjmë këtë punë, sipas këndvështrimit tim, edhe për rreth 10 vite të tjera“, tha Peacock. Vaksinat aktuale janë projektuar duke u bazuar mbi versionet më të hershme të koronavirusit, por shkencëtarët besojnë se ato duhet të vazhdojnë të funksionojnë edhe ndaj varianteve të reja edhe pse jo aq sa duhet. Peacock, thotë se vaksinat e miratuara për përdorim në Britaninë e Madhe, duket se funksionojnë mirë edhe kundër varianteve ekzistuese të virusit në vend.

Leave a Reply