Cili është sot autoriteti i BFI-së? Zero autoritet! E humbi që kur u tradhëtua nga Shaqir Fetai, i cili vuri themelet e një praktike shumë të shëmtuar: BFI-ja të merret përmes tradhëtisë, komplotit dhe puçit të ndihmuar nga pushteti të cilit duhet t’i shërbeshë në përmasa të vasalit! A e ka sot BFI identitetin e vet? Le të jetë kjo një enigmë epike për të gjithë hoxhallarët e vendit që nusërojnë para instalacionit të pushtetit antiislamik – para Shaqir Fetait, personit më kontravers në historikun e BFI-së
Nga Shukrane Fida
Ju kujtohet koha kur në një odë me burra e me plotë hoxhallarë, futej një njeri i pushtetit, zakonisht “agjentët e UDB-së”, apo, sot spiunët, sakaq tërë vëmendja kthehej kah spiuni: burrat rrinin para tij në dy gjunj, ndërsa hoxhallarët gjithë sy e veshë e ndiqnin se çka po thotë “njeriu i pushtetit”! Heshtej muhabeti islam, heshtej shpjegimi sipas sheriatit, sipas praktikave të Muhamedit a.s., gjithë vëmendja tek spiuni i UDB-së, i cili, mision e kishte të përhapë frikë dhe disiplinë, dëgjueshmëri e nështrim para pushtetit serbo-komunist, se sa të qante hallet e popullit, apo, të iniconte ndonjë të mirë për popullin e ngratë.
Është e njëjta situatë që kur u vendos që “karavanit të hoxhallarëve” t’ju prijë Shaqir Fetai, alias ORAO, nofkë kjo me të cilën e pagëzoi oficeri i UDB-së, Stanko Dragoviqi, qysh kur ishte student në FSHI të Sarajevës! Ndoshta situata sot është edhe më e rëndë, më poshtruese, situatë që të përbaltosë personalitet e dinjitet! Sepse, tashmë nuk shkon “spiuni” nëpër oda të mbushur me plotë hoxhallarë, por, vetë hoxhallarët shkojnë te spiuni për t’u rrëfyer e nënshtruar. Sepse, dikur, UDB-ja i ngarkonte me këtë detyrë me qëllim që t’i poshtrojë deri në placë. Ndërsa sot vetëposhtrohen sa herë që i buzëqeshin ëmbël Shaqir Fetait, jo në “odën e burrave” por në “zyren e spiunëve”.
Që kur u instalua nga shërbimet e dyshimta Shaqir Fetai në krye të BFI-së, ky Institucion ka humbur zërin e vet, ka humbur guximin e vet për t’i ngritur dhe shpalosur problemet që i ka në raport me pushtetin antiislamist! BFI-ja është shndërruar në “digaster qeveritar” e cila merr frymë sipas sasisë dhe ritmit të diktuar nga “qeveria”! Në asnjë moment nuk ia ka turbulluar ujin, në asnjë moment nuk ia ka ngritur tensionin e gjakut, në asnjë momet nuk është imponuar si faktor relevant i vendit! BFI-ja tashmë është defaktorizuar deri në vasalitet anemik! Shaqir Fetai sot BFI-në e drejton vetëm sipas skemave ditore të pushtetit partiako-politik që e instaoi në kry të BFI-së.
BFI-ja nuk e ngritë më zërin kundër padrejtësive ditore që i bëhen! BFI-ja nuk i bën karshillëk segmenteve të caktuara që ashiqare e ushtrojnë misionin e tyre në depersonalizimin dhe defaktorizimin e BFI-së. BFI-ja sot funksionon sipas mentalitetit të militantëve partiakë, që angazhohen me vetëmohim në të mirë të pushtetit që pastaj i kënaqë duke ua hedhur ndonjë kockë sa për t’ua ndaluar lehjen!
Pushteti ta paguan për 300 mij euro vakëfin e uzurpuar që realisht kushton mbi 3-4 milion euro, kurse BFI-ja gëg me goj nuk bën, sepse hidhërohet pushteti.
Pushteti ia mundëson njeriut të vet që ta rrëmbejë pronën e BFI-së dhe aty të ngrisë biznesin e vet, kurse BFI-ja nuk guxon të protesojë, sepse hidhërohet pushteti!
Pushteti të lejon që me paratë e tua të ndërtoshë sa të duash xhami nëpër vendbanime me shumicë myslimane, por nuk të lejon që të kërkoshë të ndërtohet Xhamia e Prilepit, e djegur dhe e shndërruar në WC publike. Nuk guxon të kërkoshë as që ta rrethoshë e ta shpëtosh nga fëlliqësitë e pisave, sepse menjëherë hidhërohet pushteti!
Cili pushtet? Ky që ka frikë nga një grup individësh të cilët mund të rrebelohen nëse e rindërtojmë xhaminë, kurse palla nuk i ha për revoltën e myslimnëve, sepse, realisht nuk ka revoltë dhe as që mund të ketë me Shaqir Fetain dhe strukturat e tij që e përkrahin në mercenarizëm përkrah segmenteve të pushtetit që kanë për detyrë defaktorizimin e tërësishëm të BFI-së.
Cilit pushtet i shërben Shaqir Fetai? Këtij që toleron uzurpimin e Xhamisë në Shtip dhe shndërrimin e saj në kishë, derisa Shaqir Fetai hesht, sepse mund të hidhërohet pushteti i cili e instaloi në krye të BFI-së!
Për çka e instaloi? Për dëgjueshmëri dhe vasalitet, sidomos gjatë fushatave parazgjedhore për zgjedhjet lokale apo parlamentare!
Shaqir Fetai nuk është për interesa të popullatës, apo për interesa të hoxhallarëve, por, ekskluzivisht për interesa të pushtetit, ndaj të cilit, i zënë si peng, i ka shumë borxhe!
Shaqir Fetai është në hipotekë tek segmente të caktuara të pushtetit politik aktual.
Shaqir Fetai manipulon me hoxhallarët, të cilëve, si duket u vie lezet nga ky manipulm! Shumë shpejt do t’u vie turp që të mbajnë edhe shallin në krye, ngase i kanë shërbyer me përkorë një njeriu që tërë atë nderë e respekt ua ka falur qarqeve dhe segmenteve të caktuara që mision e kanë depersonalizimin e hoxhallarëve si dhe defaktorizimin e Institucionit fetar islam në RMV dhe, mundësisht, edhe më gjërë në Ballkan. Nëpër këtë skenar bredh Shaqir Fetai!